E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja për paratë e komunës, arratiset autori i dyshuar

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

"Policia gaboi kur publikoi lajmin e zbardhjes së autorëve të ngjarjes së Reçit 13 vjet më parë. Kjo solli dhe zhdukjen e njërit prej autorëve të akuzuar për vrasje, pasi tjetri është i arrestuar në Itali". Reagimi vjen nga ana e Prokurorisë së Peshkopisë, pak ditë pas deklaratës së policisë për zbardhjen e krimit, kur gjatë një grabitjeje u vra arkëtari i komunës Reç dhe shoferi i autobusit. Janë dashur 13 vjet hetime për të gjetur autorët e vrasjes së Rasim Elezit dhe Asllan Meces, ndërkohë policia pohohet se gaboi në momentin final, duke dëmtuar hetimet dhe largimin e autorit. Megjithëse Policia e Shtetit nuk i publikoi emrat e personave të dyshuar jo vetëm për vrasjen e arkëtarit të komunës dhe shoferit të autobusit, por dhe të oficerit të policisë që hetonte ngjarjen e rëndë kriminale, mësohet se ishin lëshuar dy urdhër-arreste për shtetasit Lavdërim Luca dhe Shaqir Nikolli. Mësohet se Luca ndodhet në burgjet e shtetit fqinj për vepra të tjera penale, ndërkaq Nikolli ndodhej në Shqipëri, madje nën vëzhgimin e efektivave të Policisë së Shtetit, por pas publikimit të lajmit se për të është lëshuar urdhër-arresti është larguar në "drejtim të paditur". Dy të afërm të Lucës ndodhen në qelitë e komisariatit të Burrelit, të dënuar për vrasjen e oficerit të policisë Miftar Krashi, i cili po hetonte ngjarjen e Reçit, ndërkohë Prokuroria e Matit zbardhi faktin se në krim ka marrë pjesë edhe Lavdërim Luca. Zyrtarë që nuk duan të identifikohen pranë policisë së rrethit Dibër pohuan për "Panorama" se ishte kërkuar garanci nga prokuroria dhe policia e Dibrës që emrat e personave, për të cilët ishte lëshuar urdhër-arresti, të mos nxirreshin në publik, ndryshe kapja e tyre vihej në pikëpyetje. "Publikimi i zbardhjes së ngjarjes nga autoritetet e policisë erdhi pikërisht në ditët kur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit po kryente emërimet e drejtuesve të rinj në drejtoritë rajonale", aludojnë efektivë të policisë Dibër, të cilët nuk harrojnë lehtë ekzekutimin e kolegut të tyre me 19 tetor 2002, vetëm se ai po zbardhte plotësisht vrasjen e dyfishtë të Reçit. Mësohet se për gjetjen e dy prej autorëve që ekzekutuan Elezin, Mecen dhe Krashin janë përdorur metodat më të sofistikuara të hetimit, për të cilat askush nuk jep detaje me mendimin se janë të paktën edhe tre persona të tjerë që mund të vihen në pranga për llogari të kësaj ngjarjeje të rëndë. Banorë të Dibrës, të cilët kanë përjetuar me dhimbje këto ngjarje shprehen se autorët e krimit janë ditur prej vitesh por ata kanë pasur mbështetje nga politika dhe në raste të caktuara kanë arritur të korruptojnë ose kërcënojnë prokurorët e çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›