E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rrëzon mocionin e VV për autostradën

PRISHTINË- Me 35 vota kundër, 19 pro dhe 1 abstenim Kuvendi i Kosovës ka rrëzuar të enjten mocionin 4 pikësh të Lëvizjes Vetëvendosje, të paraqitur në seancën ku mbahej interpelanca për autostradën ‘Ibrahim Rugova’.

Në mocionin e Vetëvendosjes kërkohej që Qeveria të publikojë menjëherë gjithë dokumentacionin për autostradën, që Kuvendi të angazhojë grup ekspertësh për rishikimin e kontratës me kompaninë Bechtel Enka, ndryshime në disa pjesë të kontratës të cilat janë të pafavorshme për buxhetin e Kosovës dhe të raportohet çdo tre muaj para Kuvendit për shpenzimet dhe pagesat që bëhen për autostradën Morinë-Merdar.

Ndryshe debati i ligjvënësve në interpelancën për kryeministrin Thaçi për të raportuar për autostradën në të shumtën e kohës ka shkaktuar përplasje mes kryeministrit Thaçi dhe deputetëve nga Vetëvendosja dhe LDK-ja, duke devijuar kështu edhe temën e debatit dhe duke hyrë në tema të cilat nuk kanë të bëjnë me autostradën.
(e.m/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›