E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, sot ngrihet komisioni i reformës zgjedhore

Luis Tanushi

Mazhoranca dhe opozita pritet që të konfirmojnë sot marrëveshjen e arritur të hënën për zgjidhjen e krizës politike. Dy palët kanë planifikuar që të miratojnë me konsensus ngritjen e ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore dhe atë për reformën parlamentare. Draftit do ti bashkëngjiten emrat e anëtarëve të grupit të punës, të cilat janë dërguar në Kuvend nga secila parti politike.

Nga dhjetë anëtarë, 5 i përkasin opozitës dhe po kaq do të ketë edhe mazhoranca. Komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD. Forca që do të ketë më shumë anëtarë në komision është PS-ja me Armando Subashin, Arben Isarajin, Vasilika Hysin dhe Damian Gjiknurin në rolin e kryetarit. Nga PD do të jenë Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi. PR dhe PBDNJ do përfaqësohen nga kryetarët Mediu dhe Dule, të cilat janë të vetmit deputetë të këtyre forcave. Edhe PDIU do përfaqësohet me kryetarin Shpëtim Idrizi, ndërsa LSI do të dërgojë një prej deputetëve.

Në shkëmbim të konsensusit për reformën zgjedhore, socialistët duhet të japin votën e tyre në Kuvend për ligjet që kërkojnë 84 vota. Mazhoranca synon ndryshimin e të gjitha Kodeve të Republikës së Shqipërisë dhe në seancën e sotme pritet të konkretizohet ndryshimi në dy prej tyre. Më konkretisht, sot do të votohen ndryshimet në Kodin Hekurudhor dhe në Kodin Ajror. Ndryshimet janë të karakterit teknik dhe për këtë arsye janë kaluar përciptazi në Kuvend ku kanë marrë vetëm konsensusin në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Në këtë komision i miratua edhe Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë, por ai duhet të shqyrtohet edhe në komisione të tjera përpara se të miratohet nga Kuvendi.

Në seancën e sotme pritet që të miratohen edhe dy ligje të tjera. I pari është ligji Për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore dhe i dyti ai Për Bankat në Republikën e Shqipërisë. Për këtë ligj pritet të ketë debate të forta pasi opozita dhe mazhoranca nuk është se kanë arritur konsensus të plotë.

Seanca e sotme pritet të jetë themeli i stinës së re politike në vend. Pas presioneve të shumta të ndërkombëtarëve, mazhoranca dhe opozita kanë arritur një marrëveshje në letër, e cila duhet të vihet në zbatim edhe në terren. Konsensusi i opozitës për ligjet me shumicë të cilësuar dhe vullneti i mazhorancës për të kryer reformën zgjedhore do të ndikojnë shumë në të ardhmen evropiane të vendit dhe në zgjidhjen e krizës politike.

Interpelanca me dy ministra

Parlamenti pritet që të zhvillojë sot dy seanca dëgjimore me dy prej anëtarëve të kabinetit qeveritar. E para do të zhvillohet interpelanca e kërkuar nga deputetja Arta Dade me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, e cila është e mbartur nga seanca e kaluar. Interpelanca e dytë është kërkuar nga deputeti Eduart Shalsi me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. Sipas programit të hartuar më parë, për çdo seancë socialistët priten që të kërkojnë interpelancë me një ministër për çështje të ndryshme në vartësi situatës që do të paraqitet. Në seancat e ardhshme do të thirret sërish në interpelancë ministri i Brendshëm, Nishani dhe ai i Mbrojtjes, Imami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›