E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përuron nisjen e punimeve në rrugën e plazhit të Spillesë



Në vazhdën e turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Luz-Spille, me gjatësi 14 kilometra, e cila financohet nga buxheti i shtetit me një vlerë rreth 25 milionë lekë. Gjatë fjalës përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh se përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës turistike në vend përbëjnë prioritet madhor për qeverinë. Gjithashtu, kryeministri theksoi se në një kohë rekord do të asfaltohen të gjitha rrugët që lidhin akset kombëtare me bregun e detit. Më tej, Berisha u shpreh se shqiptarët nuk ofendohen nga inaugurimet, por nderohen nëse taksat e tyre shndërrohen në rrugë, në shkolla, si dhe në rritjen e pensioneve dhe pagave. “Ne po i vjelim paratë, por nuk po fryjmë xhepat dhe as kontot bankare, por po shtrojmë rrugët, po ndërtojmë shkollat dhe po përmirësojmë jetën e qytetarëve të Shqipërisë, në mënyrën më transparente”, - u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri gjithashtu premtoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit investimesh të mëdha në infrastrukturën rrugore të vendit. Ai gjeti rastin t’i drejtohet opozitës duke u shprehur se opozita nuk duhet të ofendohet nga inaugurimet, pasi të tilla tashmë do të ketë çdo ditë. “Ndërsa opozitës, e cila i konsideron ofendime shiritat dhe inaugurimet, i them të bëhet gati se këto do t’i ketë të përditshme. Ky është ritmi i vërtetë i një Shqipërie që po ndryshon”, - është shprehur Berisha.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›