Kuvendi, tri javët e fundit, vetëm për reformën në drejtësi
Reforma në drejtësi do të jetë në krye të axhendës së punës së Kuvendit të Shqipërisë tri javët në vazhdim duke e kthyer tashmë këtë çështje në vëmendje të politikës në mbyllje të sesionit të radhës së Parlamentit. Ndërkohë që ka një pakt kombëtar mes dy partive të mëdha për këtë reformë, PS-ja ka shprehur rezerva në lidhje me rolin e saj në këtë reformë, duke mos treguar gatishmëri për bashkëpunim. Dhjetori është muaji i fundit i punës së këtij sesioni parlamentar, ndaj dhe kalendari i miratuar nga Kuvendi për këtë periudhë paraqitet më i ngjeshur. Pas miratimit të buxhetit të shtetit të vitit 2009, më 27 nëntor në Parlament, për ditët në vazhdim prioritet i punës së Kuvendit do të vijojë të jetë paketa e projektligjeve që lidhen me reformën në drejtësi. Kështu, Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë shqyrtimin e disa p/ligjeve të rëndësishme, pjesë e kësaj pakete, si p/ligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, “Për administratën gjyqësore” etj. Edhe ligjet e reja ekonomike do të vijojnë të jenë pjesë e rëndësishme e punimeve parlamentare, si p/ligji “Për faktoringun”, “Për lojërat e fatit” etj. Sipas axhendës së Parlamentit, tri javët e fundit të mbylljes së këtij sesioni parlamentar përfshijnë shqyrtimin e një sërë projektligjesh të rëndësishme në fushën ekonomike, sociale, juridike etj. të propozuara nga Këshilli i Ministrave.