E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garë në PD për emrat e parë në listën e deputetëve



Të gjithë synojnë numrat e parë të listës

Deputetët, frikë për karrierën e tyre politike

Pak muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare, demokratët mbërthehen nga ethet e përfshirjes ose jo në listat e reja të 2009-ës. Të gjithë synojnë vendet e para në listën surprizë të qershorit të ardhshëm, pasi vetëm një renditje e tillë i bën ata deputetë në Kuvendin e ri të Shqipërisë. Por aktualisht, pak kush në PD ndihet i sigurt për këtë. Një gjë e tillë kuptohet në bisedat e vetë deputetëve të PD-së ku secili prej tyre nuk mund të fshehë frikën se lista mund të jetë “fatale” për ndonjërin prej tyre. Ndaj dhe brenda llojit janë ringjallur grupimet e ndryshme, ndonëse jo aktive aq sa mund të jenë me afrimin e zgjedhjeve të reja parlamentare të 2009-ës. Deputetët po tentojnë të sigurojnë sa më shumë mbështetës brenda kryesisë të PD-së, por edhe forumeve të larta të partisë për të pasur më të sigurt renditjen e parë në listat e reja. Frika vjen nga formula e sistemit të ri proporcional rajonal, i cili dikton një praktikë krejt tjetër nga zgjedhjet e mëparshme parlamentare. PD-ja pritet të hyjë në zgjedhje si koalicion i përbërë. Secili subjekt politik do të votohet nën siglën e tij. Formula e re zgjedhore përcakton më pas llogaritjen e votave brenda së djathtës. Votat do të ndahen në bazë të përqindjes së marrë nga secila parti. Mandatet e fituara nga e djathta përpjesëtohen pikërisht në bazë të votave të marra nga anëtarët e koalicionit të përbërë. Ndërkohë, 45 ditë para datës së zgjedhjeve, çdo parti duhet të ketë dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë, të cilat do të qëndrojnë të mbyllura deri në momentin që do të bëhet ndarja e votave mes vetë të djathtës. Në momentin që partitë njohin zyrtarisht përqindjet e veta, atëherë hapen listat e kandidatëve të secilës, për të nisur ndarjen e mandateve sipas renditjes së listave. Në këtë mënyrë janë përcaktuar qartë modalitetet e ardhshme të zgjedhjeve. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor u diktua nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, por dhe si nevojë për të shmangur problematikat e proceseve të mëparshme zgjedhore, në kuadër të përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme. Risia kryesore e tij mbetet ndryshimi i sistemit, nga sistem mazhoritar në proporcional rajonal. Tjetër moment i këtij dokumenti është thjeshtëzimi i administrimit të procesit zgjedhor, si dhe numërimi i votave. Ky i fundit, sipas rregullimit ligjor të bërë në Kod, siguron një transparencë të gjerë, për shkak të futjes së teknologjisë në procesin e numërimit. Kapitulli më i rëndësishëm që solli dhe reagime nga partitë e vogla parlamentare, është ai që flet për përbërjen e komisioneve zgjedhore në të tri nivelet. Sipas Kodit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) do të kenë nga shtatë anëtarë, ku natyrisht do të ruhet balancimi i detyruar politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›