Kuvendi vendos të hapë dosjet, kush kalon në filtër
74 deputetë pro, 2 kundër dhe vetëm 1 abstenim
Opozita braktis seancën, Berisha: U treguan burracakë
Kuvendi miratoi dje ligjin për pastërtinë e figurave zyrtare ose siç njihet ndryshe, ligji i dosjeve, duke i dhënë fund një ngërçi politik të krijuar ditën e fundit. Në fund të seancës, 74 deputetë të mazhorancës i thanë pro këtij ligji dhe kundër votuan vetëm dy deputetë të majtë që qëndruan në sallë, Bukurosh Stafa dhe Durim Hushi, ndërsa Leonard Solis i PBDNJ-së abstenoi. Ndërsa ish-aleati i PD-së, Nard Ndoka, ka zgjedhur bojkotin, ashtu si opozita, edhe pse kishte deklaruar mbështetjen për hapjen e dosjeve, por kishte shprehur rezerva për ligjin në fjalë. Opozita braktisi më herët sallën pas fjalës së nënkryetarit të grupit, Erion Braçe, duke e cilësuar këtë ligj si antikushtetues. Largimi nga salla e opozitës shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit Sali Berisha, i cili e cilësoi opozitën si frikacake dhe burracake. Berisha i akuzoi të majtët se po fshihen thellë si dosjet në arkiv. “Karriget bosh janë aktakuza më e rëndë ndaj tyre. Të krijojnë përshtypje se s’dinë se ku të fusin kokën, nuk kanë kurajo. I thonë të shkuarës se ne nuk të dënojmë. Kështu i lanë edhe në vitin 1995, e njëjta skemë. Në atë kohë drejtoheshin nga ideologë të asaj barbarie. Sot kanë të njëjtën frikë. Nuk flasin dot, nuk vijnë dot të marrin mikrofonin, nuk shtypin dot butonin. Partia e tyre nuk ka kërkuar ndjesë kurrë. I iket në këtë mënyrë historisë? Burracakë dhe frikacakë. Ka vetëm një alternativë, të përballesh me të, por shikoni se si po fshihen. Po fshihen thellë siç fshihen dosjet. ‘Më i ligu, - ka thënë Viktor Hygo, - është burracaku’, por ata ikën me bisht ndër shalë”, - u shpreh kreu i mazhorancës në mungesë të parlamentarëve opozitarë. Më tej, ai tha: “Opozita nuk mund të ikë sepse opozita qëndron mbi vlerat. Kanë tmerr nga pasqyra. Edhe maska nuk u mjafton, nuk i siguron, nuk i garanton. Zoti ua çliroftë shpirtin, kaq mund të them unë për ta”. Lideri i mazhorancës nuk u tërhoq pas largimit demonstrativ të opozitës, por ftoi menjëherë deputetët e djathtë që të miratojnë ligjin që sipas Berishës, “sot votohet sepse është një detyrim i madh”. Ndërkohë, opozita është shfajësuar duke deklaruar se qëndrimi i saj vjen edhe për shkak të bllokimit të Kodit Zgjedhor. “Berisha refuzon të votojë Kodin e ri Zgjedhor duke u bërë pengesë për zgjedhje të lira e të ndershme”, - tha Braçe. Qëndrim të kundërt me ligjin e dosjeve patën edhe partitë e tjera të majta, si LSI-ja apo PDS-ja. “Jam në kundërshtim të plotë me ligjin që mazhoranca kërkon të votojë sot, pasi qëllimi i vërtetë i këtij ligji nuk është luftimi i krimit, por mbrojta e këtij krimi që po ndodh sot”, - tha Engjëll Bejtaj. Seanca më pas vazhdoi me miratimin e ligjit nen për nen. Deputetët votuan edhe amendimet që iu bënë ligjit në Komisionin e Ligjeve, si futja për verifikim për drejtuesit e medias publike, të RTSH-së, por edhe të ish-anëtarëve të Presidiumit Popullor. Në fund të seancës, deputetët e mazhorancës dhanë votën pro këtij ligji, ndonëse kishte dyshime të shumta që ky ligj të kthehej.