E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në 2009-ën Shqipëria firmos edhe 4 miliardë euro



Kryeministri Berisha përshëndeti dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike vendimin e ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar të atashuar për Asistencë dhe Ndihmë të Institutit Shqiptar të Statistikave, për të sjellë të certifikuar të gjitha të dhënat e botuara nga ky institut për rritjen dyshifrore ekonomike të Shqipërisë. Kryeministri tha se kjo rritje dyshifrore është rezultat direkt i reformave të thella fiskale dhe ekonomike të ndërmarra nga qeveria dhe i luftës së suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa garantoi se kjo rritje do të jetë edhe më e lartë në vijim. “Në programin tonë elektoral dhe programin e qeverisë kemi bërë fjalë për rritje të shpejtë ekonomike dhe e vërteta është se nuk kemi pasur guximin e nevojshëm të themi se do të kemi rritje dyshifrore. Por, pavarësisht nga kjo, ne kemi punuar me një vendosmëri të jashtëzakonshme për këtë objektiv. Unë e kuptoj se rritja dyshifrore për njeriun e thjeshtë paraqet edhe një lloj abstraksioni, por, nëse e kthejmë në terma të tjerë konkretë, rritja dyshifrore është baza e arritjeve tona të tjera”, - tha z. Berisha. Ai shtoi se “falë reformave të thella që kemi ndërmarrë, kjo ekonomi ka fituar shpejtësinë më të madhe të rritjes që është mbi 10 për qind. Por ju do të njiheni me të dhënat e dy tremujorëve të tjerë, ku i fundit del nga muaji shkurt”. Ai garantoi se janë të paktën edhe rreth 4 miliardë euro të tjera që do të firmosen gjatë vitit 2009. “Ideja e Shqipërisë “superfuqi e vogël energjetike”, që u lëshua në një moment të vështirë, tashmë po progreson. Natyrisht më rikujtonte vargjet e Dantes, për afri dhe jo për realitet, sepse ne nuk kishim pasur ndonjëherë kohëra të lumtura në elektricitet, në furnizimin me energji, por sërish cilësoj këtë ide, sepse në situatën e mungesës së energjisë, të lëshoje idenë e një superfuqie energjitike dukej shumë jorealiste, por absolutisht kjo ide po progreson”.

Berisha:Licensat do zbatohet parimi "heshtja eshte miratim"

Kryeministri zhvilloi dje një takim me grupin e punës që po drejton reformën e sistemit të licencimit të aktiviteteve ekonomike. Në takim u bë një paraqitje e projektligjit të propozuar, së bashku me aktivitetet për të cilat do të kërkohet pajisje e subjekteve të interesuar me leje, licenca apo autorizime. Tiparet më thelbësore të projektligjit përfshijë adoptimin e parimit “heshtja është miratim”, i përdorimit të teknologjisë se internetit dhe formave dixhitale të aplikimit, i kryerjes së shërbimit me një ndalesë dhe thjeshtimit sa më shumë të procedurave përkatëse. Megjithëse ligji rregullon krijimin e “One stop shop” vetëm për licencat që lëshohen nga pushteti qendror, parimet që rregullojnë procesin e licencimit do të jenë detyruese edhe për autoritetet e tjera që lëshojnë leje apo licenca. Me qëllim që të përshpejtohet puna për fillimin nga veprimtaria të Qendrës Kombëtare të Licencave dhe duke qenë se faza e dytë e programit të pragut të mijëvjeçarit që do të asistojë këtë projekt pritet të fillojë që në fillim të muajit janar, në takim u diskutua edhe projektvendimi i KM-së që krijon këtë autoritet dhe që gjatë kësaj faze transitore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit, do të përgatisë të gjithë bazën e nevojshme infrastrukturore materiale e njerëzore të nevojshme. E gjithë kjo paketë aktesh ligjore e nënligjore pritet të diskutohet formalisht në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›