E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama refuzon ndërmjetësit e Metës



Kreu i PS-së nuk pranon negociata për Kodin

“Meta mirë se të vijë të luftojë me ne”

Kreu i Partisë Socialiste refuzoi për herë të dytë ftesën e ish-aleatit të tij për takim. Rama shmangu çdo koment mbi përfshirjen e tri figurave të rëndësishme të PS-së që kërkojnë bashkëpunim dhe preferoi të ripërsëriste të njëjtën mesazh të disa javëve më parë. Për të, Meta e ka derën e hapur, por çështja e Kodit Zgjedhor është e mbyllur. Kodi Zgjedhor aktualisht ndodhet në tryezën e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ftesa e Metës është ndoshta e fundit përpjekje që ai bëri për të bindur Ramën që të zbusë qëndrimin kundrejt kërkesave të saj për Kodin Zgjedhor. Ditët e fundit, ndërsa PS-ja ka shpallur bojkotin e Kuvendit, tri personazhe me rëndësi në historinë e kësaj partie, Servet Pëllumbi, Dritëro Agolli e Rexhep Mejdani, bënë thirrje për bashkim të së majtës si rruga që do t’i çojë të majtët drejt fitores së zgjedhjeve. Në këtë situatë, duke intensifikuar përpjekjet e fundit për dialog me PS-në, Meta u shpreh i gatshëm për bisedime me PS-në, madje u kërkoi pikërisht këtyre tri figurave që të marrin rolin e negociatorit dhe të mundësinë një takim mes tij dhe Edi Ramës. Por Rama e konsideron të mbyllur Kodin Elektoral, ndaj lëshoi të njëjtin mesazh në adresë të ish-aleatit: “Kodi çështje e mbyllur, por dera e PS-së është gjithmonë e hapur”. Rama la të kuptohej se është mosbesues ndaj sinqeritetit të Metës kur bën ftesa për bashkëpunim, duke vënë në pah qëndrimet e ndryshme të tij. “Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë: Kodi është çështje e mbyllur, dera jonë është gjithnjë e hapur. Po të dojë vërtet të bashkohet dhe të luftojë me ne, Ilir Meta ta thotë dhe mirë se të vijë. Por, fatkeqësisht, u bënë kohë që ai çfarë thotë një ditë, nuk e thotë një ditë tjetër”, - tha Rama. Edhe pse është pyetur mbi thirrjet e Agollit, Mejdanit dhe Pëllumbi, Rama shmangu përgjigjen ndaj tyre, duke iu drejtuar direkt Ilir Metës.

Njëkohësisht, Rama ripërsëriti vendosmërinë e grupit parlamentar të selisë rozë për të mos votuar asnjë ligj në Kuvend derisa të vijë Kodi Zgjedhor. Ai tha se Berisha po mban peng ligjin dhe se zgjedhjet po vihen në rrezik.

“Ne duam mbylljen e menjëhershme të punës së Parlamentit për Kodin e ri Zgjedhor me futjen për votim të dekretit të Presidentit pa humbur asnjë ditë. Pa u mbyllur kjo punë, të cilën jo vetëm ne po edhe partnerët tanë euroatlantikë e quajnë urgjente, Partia Socialiste nuk merr pjesë në asnjë votim tjetër të Parlamentit”, - tha ai. Rama nënvizoi se Kryeministri po mban peng Kodin Zgjedhor për shkak të interesave të tij personale dhe kjo, sipas tij, është shprehja më alarmante e papërgjegjshmërisë së njeriut që qeveris vendin tonë dhe e vënies së pushtetit ekzekutiv në funksion të interesave të këtij njeriu e të oborrit të tij. Me kthimin e Kodit nga Presidenti në Kuvend, Kryeministri ka kërkuar disa herë nga Rama që të gjejë gjuhën e përbashkët me LSI-në, duke theksuar se kjo parti ka një përqindje të konsiderueshme në elektorat, ndaj nuk mund të përjashtohet nga administrimi i zgjedhjeve. Pas kësaj, socialistët vendosën bojkotin e Kuvendit, duke përsëritur kërkesat për votimin e Kodit sa më parë.

Meta: LSI ofron program konkret social dhe ekonomik

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me simpatizantë të LSI-së në minibashkinë nr. 6 në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse z. Meta, duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, nënvizoi se është koha që të ndëshkohet ky teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershipit të PS-së dhe PD-së, me votë, por njëkohësisht, edhe përmes afirmimit të një programi shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social. “Ne jemi të bindur që këtë gjë do të realizojmë më së miri në të gjitha drejtimet, sepse zgjidhja e kësaj krize të thellë politike, institucionale, kushtetuese, do të vijë nga LSI-ja dhe nga ajo alternativë, e cila tashmë është afirmuar në krah të LSI-së dhe e cila është në sinkron të plotë me shumicën e qytetarëve shqiptarë”, - tha ai. “Prandaj, - tha Meta, - objektivi ynë për të fituar në zgjedhjet e vitit 2009 nuk është një dëshirë. Është një detyrë. Një detyrë përpara vendit që kërkon një zgjidhje”. Duke kërkuar besimin e qytetarëve, Meta u shpreh: “Ne do të kemi gjithnjë në qendër të vëmendjes punën me njerëzit. Ne sfidën tonë, - tha ai, duke iu drejtuar të pranishmëve në takim, - e kemi me të gjithë ju dhe me të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Ne vetëm duke folur hapur, si po e bëjmë edhe sot e në ditët e ardhshme më konkretisht për problemet që ju keni, pa dyshim që këtë konsensus që ekziston ne do ta unifikojmë, do ta materializojmë dhe do ta shndërrojmë nga një simpati dhe nga një shpresë në një besim dhe në një ortek suksesi dhe fitoren e zgjedhjeve në vitin 2009”.

Pak orë para fillimit të seancës parlamentare, kreu i PS-së, Edi Rama, u shpreh edhe një herë kundër projektligjit për dosjet, duke kërkuar uljen sërish në tryezë. Sipas tij, kjo do t’i shërbejë gjetjes së gjuhës së përbashkët për një ligj me standarde evropiane. “Qëndrimi ynë është i qartë: Jemi gati të hapim dosjet, të gjitha dosjet dhe jemi gati të votojmë një ligj të standardeve evropiane që ka pëlqimin e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë, duke filluar nga qeveria amerikane, të cilës i kërkoj ndjesë në emër të qytetarëve e qytetareve të Shqipërisë për sjelljen joserioze të Kryeministrit shqiptar ndaj shqetësimeve të shprehura prej përfaqësuesve të saj të nderuar”, - tha Rama.

Sipas Ramës, Berisha “është kapur pas viktimave të komunizmit për të shpëtuar anijen e qeverisë së tij që po mbytet në kënetën e korrupsionit dhe as nuk do t'ia dijë për kërcënimin që i vjen procesit zgjedhor për shkak të papërgjegjshmërisë së tij”. Ai konsideroi Kryeministrin gënjeshtar për faktin se mohoi publikisht, jo vetëm deklaratën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për antikushtetutshmërinë e projektligjit famëkeq, po edhe telefonatën me një zyrtar të lartë amerikan e mik të shquar të shqiptarëve, i cili i ka shprehur drejtpërdrejt Kryeministrit shqiptar shqetësimin serioz të partnerit tonë të madh për këtë hap aspak të dëshiruar në kundërshtim me Kushtetutën e me shtetin ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›