E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikimi, procesi mund të nisë pas zgjedhjeve



Miratimi i ligjit nga ana e Kuvendit i ka hapur rrugën një procesi tjetër akoma më të vështirë, atij të ngritjes së strukturave të duhura që do të bëjnë të gjithë hetimet përkatëse. Me hyrjen në fuqi të ligjit, Kuvendi do të duhet të miratojë 5 anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare. Anëtarët e Autoritetit do të votohen të gjithë nga Kuvendi dhe në rast se opozita nuk pranon të japë dy propozimet e saj për anëtarë, atëherë Kuvendi do të miratojë dy figura nga shoqëria civile. Kështu, opozita nuk mund të bllokojë procesin, duke mos dashur të japë emrat e vetë. Pas miratimit të anëtarëve të Komisionit, ky i fundit do të miratojë të gjithë organikën e tij i cili do të bëhet nga specialistë të shumtë. Gjithsesi, duket se koha nuk premton që Komisioni i Verifikimit të fillojë punë para zgjedhjeve të vitit 2009. Një gjë të tillë e pranuan dhe deputetët në Komisionin e Ligjeve gjatë diskutimit të ligjit. Subjekti i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Zyrtarët që do të verifikohen, janë anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore, anëtarët e Këshillit ë Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive e deri tek anëtarët e këshillave bashkiakë apo komunalë. Çdo i përndjekur politik apo çdo person që ka jetuar në atë periudhë dhe ka qenë i bindur se ndiqet dhe spiunohej nga Sigurimi i Shtetit, mund të bëjë kërkesë për t’u njohur me gjithë aktivitetin që ka bërë Sigurimi për personin e tij. Pavarësisht se mund të marrë dosjen operative, viktima nuk mund të marrë si informacion se cili operativ i Sigurimit është marrë me dosjen e tij apo cili bashkëpunëtor i Sigurimit ka spiunuar. Kjo është bërë sipas projektit dhe përvojës gjermane, që të mos ketë tentativa për hakmarrje të mundshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›