Shqiptarët e Amerikës kërkuan hapjen e dosjeve
Komuniteti i shqiptarëve në SHBA kërkoi dje përpara se të niste Kuvendi në Shqipëri, që duhet të miratohet sa më parë ligji i dosjeve. Një grup shoqatash në SHBA, si Komuniteti i shqiptarëve në Miçigan, federata “Vatra” si dhe Organizata e Gruas Panshqiptare në SHBA, njëzëri kërkuan nga politika të miratojnë këtë ligj dhe t’i japin fund shkëputjes nga regjimi i kaluar. Komuniteti i Miçiganit përpiloi një deklaratë të cilën ia dërgoi Departamentit të Shtetit Amerikan, ku i kërkoi të ndërhynte me autoritetin e tij, për kalimin e ligjit të dosjeve në Parlamentin shqiptar. “Shqiptaro-amerikanët e këtij komuniteti (shtresa e të persekutuarve) mendon se kalimi i një ligji të tillë është shumë i vonuar. Kaluan afro 20 vjet nga demokratizimi i Shqipërisë dhe përsëri në krye të shumë institucioneve janë gjyqtarë e prokurorë, janë po ata që dënuan e pushkatuan, pa u penduar dhe pa iu dridhur qerpiku. Ende ka nga nomenklaturat komuniste, spiunë të Sigurimit të Shtetit, të cilët janë në politikë, në gjykatë, në prokurori, në çdo qelizë të jetës politike shqiptare. Ata duhet të largohen sa më parë. Askush më shumë se populli shqiptar nuk ka vuajtur nga makina famëkeqe e Sigurimit të Shtetit, prandaj ligji për dosjet duhet miratuar pa humbur më kohë”, - thuhet në deklaratën e shqiptarëve të Miçiganit, drejtuar Departamentit të Shtetit. “Është e drejta e qeverisë dhe e Parlamentit shqiptar që të kalojë këtë ligje sa më parë, duke mos u lëkundur prej askujt. Forcat e djathta shqiptare duhet të jenë të bashkuara për këtë ligj jetik për Shqipërinë demokratike. Gjithashtu, duhet të jetë e bashkuar dhe ajo pjesë e djemve të pastër të PS-së që nuk kanë lidhje me të kaluarën e hidhur të regjimit famëkeq të Enver Hoxhës”, - thuhet më tej në këtë deklaratë. Edhe Organizata e Gruas Panshqiptare në SHBA e drejtuar nga Merita Bajraktari, deklaroi se ligji i dosjeve duhet të kalojë sa më parë dhe se kjo organizatë do të bëjë lobim për këtë. Edhe federata “Vatra” tha se do të lobojë në Kongresin amerikan që në Shqipëri të kalojë ligji. “Vatranët janë shtetas amerikanë dhe si të tillë në emër të tyre “Vatra” po i drejtohet qeverisë amerikane dhe në mënyrë specifike Departamentit të Shtetit, që me të gjitha mjetet, pa hezitim e sa më parë, të ushtrojnë ndikimin e tyre në Tiranë në mbështetje të realizimit të këtij procesi në Shqipëri. “Vatra” gjithashtu njofton se për çështjen në fjalë do të zhvillojë një fushatë intensive sensibilizimi në Kongresin dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - deklaroi kjo organizatë shqiptare.