E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR kërkuan më shumë kohë për ligjin e dosjeve



Vetëm pak orë më parë se Kuvendi t’i thoshte “po” ligjit të hapjes së dosjeve, Prania e OSBE-ODHIR-it në Tiranë kërkoi të nxiste një varg konsultimesh më të gjera përpara votimit parlamentar të projektligjit mbi “Pastërtinë e figurave” . Kryetari i Pranisë së OSBE-së, ambasadori Robert Bosch dhe drejtori i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR), ambasadori Janez Lenarcic, kërkuan nga Parlamenti shqiptar që të marrë parasysh shtyrjen e votimit të planifikuar të projektligjit mbi “Pastërtinë e figurave”, në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera. “Është e domosdoshme që çdo proces lustracioni të plotësojë standardet ndërkombëtare dhe të kryhet me një konsensus sa më të gjerë”, - u shpreh Bosch. Drejtori i zyrës së ODIHR-it kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë shtrijen e këtij ligji. “Ligji ka implikime serioze kushtetuese dhe politike dhe shtyrja e votimit për të lejuar konsultime më të gjera do të ishte e mirëpritur”, - tha Lenarcic. Ambasadorët theksuan se Prania në Shqipëri dhe ODIHR-i ishin të gatshëm të mbështesnin autoritetet shqiptare dhe nëse do t’u kërkohej, të jepnin asistencën dhe ekspertizën e tyre mbi këtë projektligj. Por reagimi dhe mbështetja që OSBE-ja mund të jepte, nuk do të jetë më e domosdoshme, pasi mazhoranca votoi dje ligjin me shumicë votash në Kuvend. Gjithsesi, OSBE-ja nuk ka reaguar ende në lidhje me faktin se ç’do të bëjë zyra e saj në rast se ky ligj do të miratohet. Kërkesën për shtyrje të këtij ligji e kanë bërë edhe mjaft ambasada të tjera në Tiranë, si ajo e SHBA-ve dhe ambasada britanike. Të dyja ambasadat kanë mbrojtur idenë e shtyrjes dhe konsultimit më të gjerë të ligjit për shkak se sipas tyre, projekti kishte shkelje në shumë nene të Kushtetutës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›