Kuvendi, votë konsensuale për Konferencën Gjyqësore dhe Artan Zenelin

-- 128 vota pro “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare” dhe 117 vota "pro" dekretit të Presidentit për anëtarin e Gjykatës së Lartë
-- Një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të poetit Ali Podrimja
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot me konsensus dy çështje të rëndësishme, strukturën e organizimit të Konferencës Gjyqësore dhe dekretin e Presidentit për anëtarin e Gjykatës së Lartë. Dy nisma të cilat kërkonin shumicë të cilësuar votash, por që në fakt u vërejt një vendimmarrje konsensuale pasi votat “pro” i tejkaluan 84-ër të mundshmet. Më herët, gjatë diskutimit në parlament palët e kanë cilësuar këtë ligj shumë të rëndësishëm për reformimin e sistemit të drejtësisë. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, u miratua me 128 vota “pro”. Nisma e qeverisë, që vjen në kuadër të reformës në drejtësi, sanksionon që Konferenca Gjyqësore Kombëtare (KGJK) është mbledhja e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të Shkallës së Parë, gjyqtarëve të gjykatave të Apelit dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo shënon dhe risinë e këtij p/ligji, e cila ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit të gjyqtarëve për të qenë të gjithë të barabartë dhe më të drejtë vote në organizimin e tyre të përbashkët. Gjithashtu, ligji parashikon rregulla të qarta për emërimin e 9 anëtarëve të KLD-së, që dalin nga kjo konferencë, kompetencat e saj, si dhe strukturën, ku ka ndryshime në Këshillin Ekzekutiv, ndërsa kryetar i KGJK-së është kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Dekreti për anëtarin e Gjykatës së Lartë
Po ashtu Kuvendi ka miratuar me 117 vota emërimin e Artan Zenelit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Kundër dekretit të ish-presidentit Topi votuan deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Erjon Braçe ndërsa abstenuan deputetët Marko Bello, Ermonela Felaj dhe Pandeli Majko, ndërsa vetë kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli nuk mori pjesë në votim. Gjyqtari Artan Zeneli, që mbante postin e kryetarit të Gjykatës së Tiranës, u propozua për herë të dytë nga ish-Presidenti Topi për të njëjtin post. Në qershor të vitit 2008, së bashku me katër kandidatura të tjera, mazhoranca e rrëzoi dekretin për emërimin e tij në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë me argumentin se “Presidenti nuk ishte konsultuar më parë me parlamentin”. Më pas, Gjykata Kushtetuese sanksionoi se dekretimi është në diskrecion të Presidentit të Republikës, po aq sa është në diskrecion të Parlamentit t’i pranojë ose ‘jo’ dekretet e Presidentit. Kuvendi nisi punimet me një minutë heshtje për nder të poetit, Ali Podrimja i cili ndërroi jetë të shtunën e 21 korrikut, Francës, prej ku kishte humbur kontaktet me familjen tri ditë më herët. Kjo është seanca e fundit për këtë sesion parlamentar ndërsa seanca e 6 gushtit kur do të hidhen për votim ndryshimet në Kushtetutë për heqjen e imunitetit është konsideruar si seancë e veçantë.
...