Berisha përuron Levan-Vlorë: Autostrada më moderne në rajon

Kreu i qeverisë, Sali Berisha inauguroi sot një nga rrugët më të bukura të vendit, autostradën Levan-Vlorë e cila shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes dy qyteteve kryesore të jugut të vendit Vlorës-Fierit dhe Tiranës. Kjo autostradë, me gjatësi 24.5 km, ka kushtuar 60 milionë euro dhe jep mundësi për shpejtësi lëvizje deri në 120 km në orë. Ky segment shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes Vlorës-Fierit dhe Tiranës. Autostrada ka 2 ura me një gjatësi totale 515 m. Kostoja e saj është 2.45 milionë euro për km, një ndër kostot më të leverdishme në rajon dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka investuar dhe vazhdon të investojë në qarkun e Fierit dhe Vlorës mbi 1.2 miliardë euro në rrugë, energjetikë, ujësjellës-kanalizime, shkolla dhe qendra shëndetësore. “Kjo autostradë është ndër më modernet në rajon. Qeveria ka investuar në qarkun e Vlorës dhe Fierit në rrugë, ujësjellës, termocentrale dhe centrale, linja elektrike, energji dhe naftë, investime totale prej 1.2 miliardë euro. Vetëm në rrjetin elektrik të këtyre dy qarqeve janë investuar rreth 500 mln euro nga buxheti i shtetit në tërësi. Janë ndërtuar 900 km rrugë, 120 shkolla etj,. Kjo mazhorancë ka vendosur Vlorën dhe Shqipërinë në pozicionet më të larta sa i takon tërheqjes së turistëve nga rajoni dhe mbarë botë. Çdo ditë, siç konstatoni Shqipëria ndryshon dhe afrohet me projektin që kanë në mendje shqiptarët. Sot inauguruam këtë autostradë ndër më të bukurat në rajon dhe më gjerë”. Berisha bëri me dije se ditët e para të gushtit do të inaugurohet edhe segmenti Levan-Damës, ndërsa brenda vitit përfundon në tërësi rruga Levan-Tepelenë. “Në harkun kohor 1 javor do inaugurojmë së bashku rrugën Levan-Damës e cila edhe ajo një ndër arteret më të rëndësishme të vendit, pasi brenda këtij viti lidhet Levani me Tepelenën, duke shkurtuar në mënyrë të ndjeshme distancën Gjirokastër-Tepelenë- Tiranë. Sot, në të katër anët e vendit po investohet”- tha Berisha. Ndërsa shtoi se nga 2006 e deri më sot kanë përfunduar mbi 10 mijë km rrugë nga jugu në veri. “Po investohet në ujësjellsa, kanalizime, shkolla dhe qendra shëndetësore”- tha ai.
Kryeministri foli për klimën e biznesit në Shqipëri, duke deklaruar se të gjitha raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare, deklarojnë se ekonomia shqiptare është rritur 4 herë në krahasim me ekonomitë e rajonit. Ndërsa, ulje ka pësuar edhe papunësia nga zhvillimi i sektorit privat. Në kryeqytet, brenda një viti u krijuan 1200 biznese të reja, duke punësuar mbi 6 000 punëtorë. Nga Velipoja në Ksamil janë punësuar në turizëm mbi 170 mijë shqiptarë. Nëse në 2004-ën Shqipërinë e vizituan 300 mijë turistë, vitin e kaluar e vizituan 4 milionë turistë e vizitorë. Këto janë rezultatet e prekshme të reformave tona të përbashkëta. Berisha iu referua edhe akuzave të PS ndaj biznesit, duke i cilësuar ato të pashembullta në histerinë e kryesocialistit kundër investimeve të huaja. “Z.Rama u thotë investitorëve të huaj se do tu marr këtë e atë, do anuloj këtë koncesion e atë marrëveshje. Unë u bëj thirrje të gjithë investitorëve nga Evropa dhe bota të investojnë në Shqipëri, pasi do të gjejnë këtu klimën më njerëzore”- tha ai.
Kryeministri tha gjithashtu se shumë shpejt Vlora do ketë një nga shëtitoret më të bukura. Edhe gadishulli i Karaburunit ku turizmi ka njohur një hov të papritur, do të lidhet me një rrugë plotësisht të re.
...