E Diel, 1 Nëntor 2026

Ettore Sequi: 12 rekomandimet, ka përparime – të hiqet imuniteti

26-07-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i BE: “Ne do donim reflektim për çështjen e heqjes së imunitetit. Përdorni kohën e mbetur në mënyrën më të mirë”

UPDATE- Gjatë konferencës për ecurinë e procesit të integrimit në BE, kreu i delegacionit të Kommisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi i bën apel klasës politike të tregojë vullnetin e duhur për kompletimin e kuadrit reformator. Sequi e vlerësoi si të jashtëzakonshme punën e bërë deri tani për zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit të shkuar, dhe nxiti palët që të vijojnë më tej dialogun për të mbyllur çështjet e tjera në pak kohë që ka mbetur deri në progres-raportin e tetorit.
Në një analizë të asaj çfarë është arritur deri tani nga Shqipëria në 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, Sequi përgëzoi palët për arritjet në përmbushjen e kriterit politik.
Apeli për imunitetin e kreut të delegacionit të BE ishte i qartë. “Duhet votuar në kohë si një kriter që për komisionin Evropian do të përbënte një hap kritik dhe në drejtimin e duhur”- theksoi Sequi.
Në mënyrë të përmbledhur dhe pasi përsëriti disa herë fjalët dialog, konsensus apo përpjekje për të bindur vendet anëtare se forcat politike në Shqipëri po ia dalin, jo vetëm të miratojnë, por dhe të implementojnë marrëveshjet mes tyre, Sequi gjithashtu u bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës ta vendosin që tani si do të zgjedhin ta shohin veten në sy në tetor, pasi vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së të jetë marrë.
 “Është tepër e rëndësishme që mazhoranca e opozita të vazhdojnë bashkëpunimin për këto çështje të rëndësishme. Mazhoranca dhe opozita kanë mundësinë të bashkëpunojnë, të kenë një dialog konstruktiv. Ne do donim reflektim për çështjen e heqjes së imunitetit. Përdorni kohën e mbetur në mënyrën më të mirë”, deklaroi ai.
Njëkohësisht ambasadori i BE-së vlerësoi progresin në respektimin e të drejtave, por nga ana tjetër ai kërkoi që ky progres të shihet dhe në respektimin e të drejtave për romët dhe përfaqësuesit e LGBT-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›