E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi voton anëtarin e Kushtetueses dhe kreun e ri të ERE

24/06/2011  Opozita vijon bojkotin e saj të seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë

Mazhoranca pro Fatmir Hoxhës në Kushtetuese dhe Sokol Ramadanit në ERE

Me 72 vota pro, asnjë abstenim dhe në mungesë të opozitës Kuvendi miratoi dje dekretin e Presidentit të Republikës Bamir Topi për emërimin e Fatmir Hoxhës në postin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Emërimi i Hoxhës u bë pas rrëzimit të tri propozimeve të tjera të kreut të shtetit nga ana e deputetëve të mazhorancës në Komisionin parlamentar të Ligjeve 10 ditë më parë. Deputetët e mazhorancës në këtë komision ranë dakord për miratimin e një prej propozimeve të Presidentit Bamir Topi, i cili në shtatorin e vitit të kaluar ka firmosur dekretet për katër vendet bosh për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti kishte përzgjedhur Fatmir Hoxhën, Edlira Jorgaqin, Artan Hoxhën dhe Ardian Lekën, nga këta vetëm i pari arriti të merrte votëbesimin e deputetëve në Kuvend. Me një votim të hapur kandidatura e Fatmir Hoxhës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese mori 72 vota pro, duke u emëruar kështu anëtar i kësaj Gjykate. Gjithashtu një tjetër votim i rëndësishëm ishte dhe miratimi i Sokol Ramadanit për kryetar të ri të Entit Rregullator të Energjisë, ku votimi i tij u bë i fshehtë. Kandidatura e Sokol Ramadanit mori 72 vota pro, duke u zgjedhur kështu kryetari i ri i ERE-së. Sokol Ramadani, i cili më parë ka mbajtur postin e kreut të OST-së, do të zëvendësojë Bujar Nepravishtën.

Kuvendi votoi dje edhe projektligjet e tjera të parashikuara në rendin e ditës, si ai për disa ndryshime në ligjin “Për arsimin profesional” si dhe projektligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë”. Votat edhe për këto projektligje u siguruan vetëm nga mazhoranca, pasi opozita ka bojkotuar seancën e djeshme, duke vijuar kështu qëndrimin bojkotues ndaj institucionit ligjvënës që nga data 2 qershor, kur Kuvendi rinisi seancat plenare, të ndërprera për shkak të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Ky bojkot i opozitës lidhet me qëndrimin e saj kontestues ndaj vendimeve të KQZ-së për rezultatin e përfundimtar të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ku Rama humbi përballë kandidatit të djathtë Lulzim Basha.

Rrëzimi i dekreteve

Deputetët e mazhorancës rrëzuan 10 ditë më parë katër propozimet e Presidentit Topi për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Komisioni i Ligjeve, në mungesë të përfaqësuesve të opozitës, pas shqyrtimit të propozimeve të sjella nga Topi për miratim, doli në përfundimin se disa prej tyre nuk i plotësojnë kriteret. Në këto kushte, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i kërkoi edhe një herë Presidentit Topi të rishikojë kandidaturat e zgjedhura dhe të zgjedhë gjyqtarë që i plotësojnë të gjitha kriteret kushtetuese për të qenë anëtarë të këtyre gjykatave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›