E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/drejtori Agron Kuliçaj, ballafaqim me ish-shefin e Elbasanit

24/06/2011  Banda e Cërrikut, Fatos Suvarai “përplaset” me ish-shoferin e Kuliqit

Gjykata do thërrasë kreun e policisë për sqarimin e një episodi të paqartë

TIRANE-Zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, do thirret në gjykatë për t’u ballafaquar me ish-paraardhësin e tij në detyrën e shefit të komisariatit të Elbasanit, shtetasin Fatos Suvaria. Kjo për shkak se trupi gjykues, avokatët mbrojtës, por dhe vetë Prokuroria ka paqartësi në sqarimin e një episodi, ku bëhet fjalë për një urdhër të nxjerrë nga Kuliçaj, asaj kohe shef komisariati në Elbasan, për të ndaluar një turmë të armatosur që po vinte drejt Elbasanit. Për të sqaruar këtë episod, dje gjatë seancës gjyqësor kundër 9 të pandehurve të Bandës së Cërrikut, është ballafaquar ish-shoferi i nëndrejtorit të Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj, Ardian Shuku, me Fatos Suvarinë që gjatë vitit 1997 ka qenë shef i komisariatit të Elbasanit. Para gjykatës, ish-shoferi i Kuliqit ka rikonfirmuar thëniet që ka pohuar në seancën e mëparshme kur ishte thirrur si dëshmitar, duke pohuar se para se të ndodhte masakra e Cërrikut, Kuliçaj kishte informacion se në drejtim të Elbasanit po vinin disa persona të armatosur mes tyre dhe i pandehuri Roland Xhepexhiu. Për t’i ndalur rrugën në datën 22 maj, një ditë para se të ndodhte masakra, Shuku ka rikonfirmuar se ai së bashku me shefin e shkarkuar në atë periudhë Fatos Suvarinë, ishin nisur në drejtim të Cërrikut me një automjet tip Benz, që ishte në pronësi të komisariatit. “Në afërsi të fshatin Shirgjan, kemi takuar personat e armatosur si Roland Xhepexhiun, Met Bozin, si dhe disa të tjera ku mes tyre mund të ketë qenë dhe Llazar Bicja. I kemi kërkuar që të kthehen mbrapsht, por ata nuk u bindën dhe vazhduan rrugën në drejtim të Elbasanit”,-konfirmoi dëshmitari Shuku. Nuk mund të përdornin armët, pasi atëherë armët ishin sheshit dhe se çdo veprim tjetër do të provokonte turmën e armatosur. Pas kësaj ngjarjeje kemi shkuar tek Kuliçaj dhe i kemi raportuar se çfarë ndodhi. Ndërkohë që gjatë ballafaqimit kjo dëshmi është hedhur poshtë nga ish-shefi i komisariatit Fatos Suvaria, duke pohuar se në datën 22 maj ai nuk kishte udhëtuar në drejtim të Cërrikut. Ai shtoi se nuk merrte urdhra nga Agron Kuliçaj, pasi pozicioni i tij në polici kishte ndryshuar dhe se i bindej dhe raportonte vetëm në Ministrinë e Rendit. Sovaria rikonfirmoi para gjykatës se kishte qenë në Cërrik më datë 19 maj, por jo më 22 siç pretendon ish-shoferi i Agron Kuliçaj. Në këto kushte gjykata i kërkoi dëshmitarit Suvaria që ai duhet të bënte dhe një ballafaqim tjetër, por këtë herë me zv/drejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Suvaria u tregua i gatshëm për këtë ballafaqim dhe pritet që në seancat e ardhshme gjykata të thërrasë dhe Kuliçajn për të dëshmuar në sallën e gjyqit. Ky i fundit është një nga efektivët e policisë që ishin prezent në masakrën e Cërrikut, në të cilën ai edhe u plagos nga organizatorët e pritës në qendër të qytezës së Cërrikut.

E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›