Kuvendi voton gjyqtarin Fatmir Hoxha si anëtarë të Kushtetueses- opozita përsëri bojkoton

Kuvendi miratoi sot me 72 vota, përmes një votimi nominal, dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e gjyqtarit Fatmir Hoxha, në postin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi dhe kandidaturën për kryetar të ri të Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani. Më votim të hapur kandidatura e Fatmir Hoxhës për anëtar i Gjykatës Kushtetuese mori 72 vota pro duke u emëruar kështu anëtar i kësaj Gjykate. Më pas kryetarja e Kuvendit vijoi votimin e radhës, këtë herë për të zgjedhur kreun e ri të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), votim që u bë i fshehtë.
Emri i Sokol Ramadanit mori 72 vota “pro” duke u zgjedhur kështu kryetari i ri i ERE. Sokol Ramadani i cili më parë ka mbajtur postin e kreut të OST-së do të zëvendësojë Bujar Nepravishtën.
Kuvendi votoi sot edhe pr/ligjet e parashikuara në rendin e ditës, ai për disa ndryshime në ligjin “Për arsimin profesional”, si dhe pr/ligji “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë”. Votat për këto pr/ligje u siguruan vetëm nga mazhoranca, pasi opozita ka bojkotuar punimet në Kuvend.
Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste munguan sërish në seancën e sotme, duke vijuar kështu qëndrimin bojkotues ndaj parlamentit që nga data 2 qershor, kur Kuvendi rinisi seancat plenare, të ndërprera për shkak të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Bojkoti i opozitës lidhet me qëndrimin e saj kontestues ndaj vendimeve të KQZ-së për bashkinë e Tiranës.
...