E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes protestave dhe llogores së krizës ekonomike, “Qeveria Papandreu” votëbesohet në Parlament

22-06-2011 / Elda Tomani

Qeveria greke mori mbrëmë vonë votëbesimin e parlamentit. Rreth orës 1 00 pas mesnate me orën lokale, 298 deputetë të pranishëm në sallën e Parlamentit, përfunduan votimin, në fund të të cilit qeveria mori 155 vota pro dhe 143 vota kundër.


Në votim munguan deputeti i i shkëputur nga PASOK, Jorgo Lianis dhe kryetarja e Aleancës Demokratike, Dora Bakojanis. Ministri i jashtëm, i cili ndodhej me detyrë jashtë vendit, dërgoi një letër ku sqaronte se jepte besimin për qeverinë e re. Votimi i qeverisë u parapri nga 3 ditë debate, të cilat filluan dhe u mbyllën me fjalimin e kryeministrit Jorgo Papandreu. Ai kërkoi nga deputetët e gjithë palëve, votën pro për qeverinë e tij, me qëllimin e vetëm, për të shpëtuar vendin nga kriza ekonomike.


Kryeministri i drejtoi kritika të ashpra opozitës, duke thënë se qeveria aktuale, zgjidh problemet e shkaktuara nga qeveria e mëparshme e kësaj opozite.


“Kriza na ofron një mundësi unike për ndryshim dhe nëse nuk e bëjmë, historia do na gjykojë shumë rëndë”, theksoi Papandreu.


Kryeministri përsëriti se qeveria e tij kërkon dhe do të kërkojë konsensus dhe theksoi se as ai, as qeveria e tij nuk do të braktisë asnjë betejë, ashtu sikundër bëri opozita. Papandreu u shpreh me besim se Greqia do t’ia dale të kalojë krizën dhe se për këtë i takon çdonjërit të marrë përgjegjësitë e veta.


Gjithçka nisi të premten kur pas protestave të fuqishme Papandreu shpalli ndryshimin e qeverisë së re. Gjatë gjithë ditëve të debatit në parlament, madje edhe mbrëmë në orët e vona, jashtë godinës së parlamentit lëvizja “Qytetarët e zemëruar” protestonte kundër qeverisë dhe Planit Afatmesëm antikrizë, i cili do të votohet në datën 28 Qershor në Parlament.


Kalimi në parlament i këtij plani masash shtrënguese ekonomike, është jo vetëm kusht i mirëfilltë i ministrave të Financave të Eurozonës, që Greqia të marrë këstin e pestë të ndihmës, por edhe provë për qeverinë e re të Papandreut në Parlament, në kushtet e kundërshtive të opozitës dhe të presionit të madh popullor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›