Kuvendi voton me 75 vota “pro” për Adriatik Llallën Kryeprokuror

Opozita abstenon. Ambasada amerikane në Tiranë, ëprshëndet zgjedhjen e Prokuroit të Përgjithshëm
Kuvendi miratoi dje me 75 vota “pro” dekretin e Presidentit të Republikës për Adriatik Llallën në postin e kryeprokurorit të Përgjithshëm,ndërsa opozita e pranishme në seancë abstenoi.
Një dite më parë, në Komisionin e Ligjeve, ky dekret kaloi vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita sikundër kishte deklaruar në mbledhjen e saj të fundit të Grupit Parlamentar, abstenoi. PS deklaroi se nuk është kundër kandidaturës, por kundër procesit te ndjekur nga kreu i shtetit për zgjedhjen e kryeprokurorit.
Vetë Llalla, aktualisht kreu i ILDKP, duke e quajtur detyrën e re sfidë dhe përgjegjësi të madhe ka garantuar se do të luftojë korrupsionin edhe brenda organit të akuzës.
Ambasada e SHBA-ve: Mbështetje të plotë kryeprokurorit Llalla
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka uruar nëpërmjet një deklarate zyrtare zotin Adriatik Llalla për emërimin e tij si Prokuror i Përgjithshëm.
Në deklaratën e ambasadës theksohet se Kryeprokurorit të ri të Përgjithshëm, “do t’i japim mbështetje të plotë përpjekjeve të tij për të kryer në mënyrë agresive ndjekjen penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shkeljet e zyrtarëve. Gjithashtu, nxisim që ai të ushtrojë përpjekje maksimale për të përmbyllur me sukses gjyqin e atyre që ishin përgjegjës për dhunën e dënueshme të 21 janarit 2011. Duke punuar me Z. Llalla, Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret me kënaqësi të mbështetet mbi sukseset dhe partneritetin konstruktiv që karakterizoi marrëdhënien tonë me paraardhësen e tij, Znj. Ina Rama”, përfundoi deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë.