E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: 2013, me një rritje ekonomike disa herë më të lartë se Ballkani Perëndimor

08-12-2012 / Gazeta 55

Viti 2013, Shqipëria rritje ekonomike 4 për qind

Buxheti për vitin re ardhshëm, 50 për qind e shpenzimeve drejt politikave sociale

Rritja ekonomike e vendit për vitin e ardhshëm programohet të jetë në 4 për qind sa i takon termave realë. Po ashtu, norma e inflacionit gjatë 2013, pritet të shkojë në 3 për qind dhe në këto kushte çdo mosmanifestim në rritje ekonomike në terma reale do të demonstrohet me një rënie të inflacionit të parashikuar, çka do të thotë, që rritja ekonomike në terma nominalë, dhe gjithë treguesit e buxhetit që lidhen me terma nominale janë tërësisht të sigurt.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë ët ditur gjatë seancës së djeshme parlamentare ku u diskutua dhe miratua në parim Buxheti i Shtetit për vitin 2013, se, importet e mallrave do të jenë rreth 6.4 për qind krahasuar me ato të vitit 2012.
Të gjithë këta tregues, sipas ministrit janë tregues që janë të justifikuar dhe argumentuar, por që janë baza e gjithë asaj që është hedhur edhe në raportet e buxhetit të programuar. Po ashtu, politika fiskale, si e tillë vijon me politikat për të nxitur ekonominë reale, bizneset.
“Ne kemi përgatitur një paketë fiskale që vjen bashkë me buxhetin dhe do t’i shërbejë këtij buxheti politik dhe si e tillë ajo është një paketë tërësisht stimuluese për të rritur dhe mbështetur investimet në ekonominë reale për të hequr të themi pagesat në doganë, TVSH-në për makineritë dhe pajisjet, sikurse dhe për disa sektorë prioritarë edhe materialet e tjera që lidhen me investimet në mënyrë që të vijojmë të mbajmë një administrim të mirë të sistemit të taksave dhe nga ana tjetër të jemi nxitës dhe shumë aktivë me investimet publike dhe rritjen ekonomike të vendit”, u shpreh ministri Bode. Qeverisja e vogël mbetet në thelbin e saj, duke mbetur dukshëm në krahasim me vendet e rajonit më e ulët. Ajo që duhet thënë në strukturë edhe pse jemi një qeverisje e vogël jemi qeverisja në rajon me peshën më të lartë të shpenzimeve sociale. Rreth 40 për qind e shpenzimeve të buxhetit ose mbi 50 për qind e shpenzimeve korrente të buxhetit janë flokuar, adresuar për politika sociale, të cilat edhe për vitin 2013 do të vijojnë të jenë në të njëjtin trend, ritëm që janë programuar në programin e qeverisë.

Raporti i FMN-së, mirëqenia ekonomike 13.4 për qind më shumë 
Rritja ekonomike në Shqipëri ka vijuar që të jetë e qëndrueshme dhe këtë sipas numrit një të Financave e dëshmojnë edhe treguesit e saj. Në këtë mënyrë, Ekonomia shqiptare në periudhën 2009-2010, ka shënuar një rritje ekonomike mesatare prej 3.3 për qind dhe e gjithë kjo ka ndodhur në një kohë, kur ekonomitë e Europës Qendrore kanë mundësuar në këtë periudhë 3-vjeçare një rritje prej 0.1 për qind të PBB-së.
“Kjo do të thotë që, në tre vite, niveli i përgjithshëm i prodhimit të brendshëm të këtyre vendeve, është në të njëjtin nivel të vitit 2009. Edhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që kanë pasur një trend me pozitiv, kanë pasur një rritje mesatare në tre vite prej 0.8 për qind. Ne programojmë që në vitin 2013 të mbështesim një rritje ekonomike shumë të lartë krahasuar me projeksionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore, pa përmendur këtu krahasimin me vendet e eurozonës që janë ende në të papërcaktuar”, u shpreh ministri Bode.
Lidhur ngushtë me këtë, sipas ministrit Bode, elementi i dytë pozitiv që ka demonstruar ekonomia shqiptare gjatë krizës globale ka të bëjë me mirëqenien e përgjithshme ekonomike e shoqërore që jep kjo ekonomi e zhvilluar dhe në periudhat e presionit të krizës globale. Mirëqenia e përgjithshme ekonomike e matur me prodhimin e brendshëm bruto e indeksuar me kualitetin e fuqisë blerëse sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pikërisht në raportin e publikuar për këtë vit rezulton me një rritje prej 13.4 për qind krahasuar me vitin 2008. Pra, sipas ministrit Bode, vihet re një rritje e vazhdueshme e mirëqenies shoqërore, ndërsa krahasuar me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore edhe këto vende kanë demonstruar rritje prej 3.8 për qind dhe vendet e Ballkanit Perëndimor prej 3.4 për qind.
“Kjo veçori është tepër pozitive për ekonominë shqiptare, një ekonomi që edhe në presionet e krizës globale vijon të prodhojë mirëqenie të përgjithshme shoqërore, e ardhur nga rritja e PBB-së, por edhe një inflacion tërësisht i moderuar do të persistojë edhe gjatë vitit 2013 dhe kjo reflektohet në shumë politika që ne kemi demonstruar në buxhetin e vitit 2013”, u shpreh ministri Bode.

Sfidat për vitin 2013

Sfida e parë - Mbajtja nën kontroll e presioneve
Sfida e parë ka të bëjë me situatën e ekonomisë globale dhe asaj rajonale. Një recension evident në tremujorin e parë të vitit 2012, bëri që gjithë ekonomia përgjatë gjithë këtij viti në rajon pa kaluar në eurozonë të vijojë të performojë në terma negativë. Pikërisht, mbajtja në konsideratë e këtyre presioneve të shtuara të ekonomive të eurozonës mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, por dhe Europës Qendrore dhe Lindore dhe veçanërisht mbi ekonominë shqiptare, mbetet sfida e parë.

Sfida e dytë - Energjisë elektrike
Sfida e dytë, ka të bëjë me një gjë specifike për vendin tonë, por jo dhe aq specifike për Shqipërinë, siç është çështja e energjisë elektrike. Problematika e krijuar në sektorin energjetik kanë bërë, që risqet që mund të vijnë mbi ekonominë nga sektori energjetik të jenë më të shtuara për vitin 2013, në këtë këndvështrim projektbuxheti i propozuar reflekton këtë të themi vulnerabilitet të veprimit të sektorit energjetik mbi ekonominë.

Sfida e tretë - Kujdesi me projeksionet
Sfida e tretë është se, viti 2013 është një vit elektoral dhe bën të domosdoshëm që projeksionet të jenë të matura, të jenë konservative në mënyrë që çfarëdo shpërqendrimi momental të mos prekë balancat e ekonomisë shqiptare, të cilat janë tepër të vlefshme dhe të çmuara për të mbajtur në trend pozitiv në afatmesëm dhe afatgjatë ekonominë e vendit.

Investimet publike, Shqipëria ruan nivelin më të lartë të mesatares së rajonit

Bode: PBB-ja kombëtare është dy herë më e lartë se në 2004

Shqipëria ruan balanca fiskale pozitive, ndryshe nga se mund të mendojnë eksponentë të caktuar të PS-së. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka reaguar gjatë seancës së djeshme parlamentare ku u diskutua dhe miratua në parim Buxheti i Shtetit për vitin 2013. Duke ju përgjigjur akuzave opozitare, lidhur me situatën që po i bëhet qëndrimeve keqdashëse të borxhit publik, kreu i Financave, shqiptare u ka kujtuar atyre se huaja që qeveria shqiptare pritet të marrë gjatë vitit të ardhshëm është 360 milionë euro, në një kohë borxhi i marrë nga qeveria socialiste rreth 8 vjet më parë arrinte shumën e 410 milionë eurove. Nga ana  tjetër, ministri Bode, ka shtuar gjithashtu se Produkti i Përgjithshëm Bruto në harkun kohor të 8 vjetëve është më se dyfishuar në raport me PBB-në e 2004.
Në një kohë, kur pjesa më e madhe e vendeve të rajonit ulën vëllimin e investimeve publike si pasojë e krizës globale, Shqipëria dëshmoi se mund të qëndronte në krye të klasifikimit, duke mbajtur një nivel rekord me mbi dy herë më të lartë se mesataren e  rajonit.
Në këtë drejtim, sipas tij mbetemi pozitivë dhe proaktivë ndaj nxitjes së ekonomisë. Investimet publike për vitin 2013, sipas ministrit Bode parashikohen në nivelin e 5 për qind të PBB-së. Për periudhën 2009-2011 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një vëllim investimesh prej 2.9 për qind të PBB-së dhe një nivel prej 6.4 për qind të investimeve publike, që ka pasur Shqipëria.
Sipas ministrit Bode, vëllimi i huamarrjes ka qenë rreth 0.8 për qind më i madh nga investimet publike, çka do të thotë që kanë financuar, pagat, pensionet shpenzimet e qeverisë dhe aspekte të tjera të funksionimit operacional të qeverisjes me 0.8 për qind.

Vëllimi i investimeve
Të gjitha masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë bërë të mundur, që përgjatë vitit 2013 të programohet një vëllim investimesh që të jetë tërësisht i financueshëm me të ardhurat e arkëtuara nga tatimet dhe taksat, si dhe të programohet përsëri viti 2013, me një suficit fiskal prej 1.6 për qind e PBB-së. 
Sipas tij, mbajtja e një niveli të lartë investimesh nuk është një akt dëshpërues për të mbajtur një trend pozitiv në rritje, por është një zhvillim tërësisht normal, më pozitiv, sigurisht shumë më pozitiv nga rajoni, por dhe më pozitiv nga kushtet normale të zhvillimit të aktiviteteve ekonomike të vendit.

Treguesit ekonomikë
Ministria e Financave ka raportuar për një rritje ekonomike pozitive.
Mendohet që, tremujori i tretë do të ketë një rritje pozitive, më pozitive se 6- mujori i parë, ndërkohë që në të katërtin pritet të shihen zhvillimet konkrete të ekonomisë shqiptare, përballë sfidave që ka ekonomia evropiane.
Gjithsesi, ministri Bode mbetet i bindur që objektivat fillestarë për rritjen ekonomike nuk u materializuan dhe se viti 2012 rezulton të jetë një nga vitet më të vështira sikurse është për vendet e tjera të rajonit dhe eurozonës në raport me mbajtjen e këtij objektivi kaq të çmuar për stabilitetin afatmesëm dhe afatgjatë të vendit.

Objektivat për inflacionin
Sa i takon inflacionit në periudhën janar-tetor, ai ishte rreth 2 për qind dukshëm nën objektivat e parashikuar nga Banka e Shqipërisë. Dhe kjo sipas ministrit Bode nuk ka të bëjë me një presion inflacioni, apo një rritje të çmimeve në treg. Tregu i punës ka qenë një nga aspektet më pozitive.
Sipas ministrit Bode, përgjatë vitit 2012, nuk kemi rritje të papunësisë, përkundrazi kemi një rënie shumë të moderuar me 0.2 për qind të saj dhe nivelin 13.3 për qind të fund të tremujorit të dytë dhe mendohet që përgjatë gjithë vitit nuk do të ketë presione për rritjen e papunësisë në vend.

Sektori financiar
Sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive, por dhe të matura. Për këtë, ministri Bode ka përmendur faktin që depozitat në fund të muajit shtator janë rritur mbi 10 për qind.
Por ajo që duhet thënë dhe që përbën thelbin e tregut bankar është sipas ministrit Bode, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, i cili mbetet 15.6 për qind dukshëm mbi nivelin e kërkuar, qoftë nga sondazhet e Bankës Qendrore Europiane, qoftë nga ato të Bankës së Shqipërisë.
Sipas ministrit Bode, kjo është mundësuar përmes rritjes së nivelit të provigjoneve që mbeten shumë më të larta dhe që krijojnë mundësi dhe që dëshmon nivelin, ku operojnë bankat shqiptare, që është një nivel i mjaftueshëm fitimi për të mbuluar çdo lloj risku që vjen nga moskthimi i kredive.

Investimet e huaja
Gjatë kësaj periudhe, vendi ynë ka shfaqur një tendencë pozitive sa i takon rritjes së flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, të cilat për periudhën 9-mujore rezultojnë të jenë rreth 25.9 për qind më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Lidhur me këtë, ministri i Financave, Ridvan Bode ka deklaruar se, janë të gjithë këto elementë që flasin për një situatë financiare shumë pozitive.
Në këtë mënyrë, mbajtja në trend pozitiv e të ardhurave fiskale edhe gjatë vitit 2012 është një tregues shumë pozitiv i administrimit të mirë fiskal dhe i kapaciteteve të mira që ka ekonomia shqiptare, pasi ka një korrelacion jo tërësisht të drejtpërdrejtë midis treguesve të rritjes ekonomike dhe të atyre fiskale, kur preken aktivitetet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›