E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi voton pro uljes me 5 për qind të kontributeve

Mes debateve të forta dhe dyshimeve të opozitës, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje me shumicë votash uljen e masës së kontributit për sigurimet shoqërore që i takojnë punëdhënësit. Sikurse kishte deklaruar javën që shkoi, zëvendësministri i Financave, Florion Mima, u shpreh se masa e uljes do të sjellë rreth 4 miliardë lekë lehtësi për biznesin. Reagimet e deputetëve të Partisë Socialiste kanë qenë të shumta. Në fillim, ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, lëshoi dyshime rreth skemës së re të sigurimeve, duke e lidhur me faktin se ulja e kontributit kërkon reforma të tjera në zbatim të forcimit të pensioneve. "Nuk mjafton ulja, të cilën në parim unë e mbështes, por nevojiten të tjera reforma të mëdha në mënyrë që kjo skemë e re të gjejë zbatim", u shpreh Malaj. Kurse Erion Braçe akuzoi qeverinë se po bën demagogji me uljen e kontributeve me 5 për qind. "Ju po ulni sigurimin shoqëror, por jeni duke lënë të pandryshuar dy udhëzimet për referencat mbi pagë dhe mbi numrin e punonjësve që duhet të kenë bizneset. Sa do që t‘i ulni kontributet, dy udhëzimet e fundit nuk do t‘i japin mundësi biznesit që të punojë lirshëm", u shpreh Braçe. Deputetja tjetër e PS-së, Ermelinda Meksi, tha se "qeveria nuk jep garanci që skema e re do të funksionojë. Efekti negativ financiar për buxhetin e shtetit do të jetë 4 miliardë lekë. Kush na garanton që ulja e kontributit do të sigurojë të ardhura në arkën e shtetit. Kjo skemë më duket plotësisht për qëllime elektorale", tha ish-ministria e Ekonomisë në kohën e qeverisjes socialiste. Por kryetari i komisionit, Edmond Spaho, garantoi se skema e re do të gjejë zbatim pasi mbështet sipërmarrjen e lirë.

Duke nisur nga 1 maji 2009, bizneset do të paguajnë 5 për qind më pak sigurime të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Kështu, dy muaj para zgjedhjeve, bizneseve do t‘u jepet mundësia që të rrisin radhët e të siguruarave në shtet, pasi norma e kontributeve do të jetë më e ulët. Masa e kontributit të sigurimit shoqëror, në përgjithësi do të ulet me 5 për qind, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 për qind. Ulja më e madhe bëhet në pensione, me 2.3 pikë për qind, si dhe në sigurimin e papunësisë me 1.1 pikë për qind. Efekti negativ financiar nga ulja e kësaj takse është 4 miliardë lekë, por Ministria e Financave pretendon se do të kompensohet nga rritja e kontribuuesve në skemën e re. Vendimi i qeverisë lidhet vetëm për sigurimet shoqërore, pra për pensionet, duke i ulur me 2.3 pikë për qind. Sa i takon kontributeve shëndetësore, niveli i tyre prej 3.4 përqindësh do të qëndrojë i pandryshueshëm.

Degët e sigurimit Totali i masës së sigurimit (%)

Ishte / bëhet

Për paaftësi

të përkohshme 0.8 0.3

Për barrëlindje 2.3 1.4

Për pensione 23.9 21.6

Për aksidente 0.5 0.3

Për papunësinë 2.0 0.9

TOTALI 29.5 24.5

Sigurimi shëndetësor 3.4 3.4

Shuma 32.9 27.9

Norma e sigurimit

mbi pagën bruto

Shqipëria 23.9%

Belgjika 16.36%

Gjermania 20.3%

Franca 16.45%

Greqia 20%

Turqia 20%

Kroacia 15%

Maqedonia 21.2%

Serbia 20.6%



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›