E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, shtyhen ligjet me 3/5, miratohen të tjera

TIRANE- Kuvendi ka miratuar sot disa ligje, por shtyu sërish ato ligje që kërkojnë shumicën e votave. Edhe pse në seancat e fundit këto projektligje janë vendosur gjithnjë në rendin e ditës, përpjekja për votimin e tyre ka dështuar, pasi opozita nuk ka dhënë votën e saj, të cilën e kushtëzon me shqyrtimin e paktit prej 10 pikash të paraqitur nga lideri i opozitës, Edi Rama. Projektligjet e vendosura në rend të ditës janë pr/ligji për Gjykatën Administrative, projekligjet për Kodin Penal dhe atë civil si dhe projektligjet për Kodin Rrugor dhe atë detar.

MIRATOHET MARREVESHJA ME ITALINE, LEVIZJA ME SERBINE
Me 124 vota pro te mazhorances Kuvendi miratoi sot ligjin për marrëveshje me Italinë, ndërsa me 110 vota pro u miratua lëvizja e lirë me Serbinë.

MIRATOHET LIGJI PËR SHOQËRITË TREGTARE
Në seancën Parlamentare të ditës së enjte, u miratua ligjin "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare", i cili ka për synim përafrimin e legjislacionit tonë me atë evropian, si dhe ka për qëllim të rrisë më tej mbrojtjen e kreditoreve të shoqërive aksionare me ofertë private.
Ministri Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës METE, Nasip Naço në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e miratimit të këtij ligji si dhe sqaroi avantazhet e tij.
"Ky pr/ligj, është hartuar në bazë të direktivave të Bashkimit Europian. Ai, është përshtatur me standardet e Bashkimit Europian, për të rritur kapitalin themeltar të këtyre shoqërive me ofertë private nga 2 milionë në 3.5 milionë. Pra, referuar këtij ndryshimi, është QKR-ja ajo që ndjek zbatimin e këtij ndryshimi ligjor, dhe heq edhe diskriminimin midis shoqërive të huaja që krijojnë shoqërinë në vendin tonë", nënvizoi Naço.
Ai nënvizoi se "nëpërmjet përmirësimit të këtij ligji, ne shkojmë drejt plotësimit të standardeve të Bashkimit Evropian. Pra është thjesht një plotësim i asaj reforme rregullatore që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë vitet e fundit në drejtim të regjistrimit të biznesit, por edhe të ndjekjes së saktësisë së kapitaleve të tyre."
Sipastij, shtimi, nga 2 milionë në 3.5 milionë ose 25 mijë euro sa e kanë vendet e tjera të Bashkimit Evropian, bën që të kemi një unifikim".
Ai gjithashtu bëri me dije se ky projekt ligj "përcakton edhe masat e zbatimit të kësaj pas një viti, kur shoqëritë janë të detyruara ta rrisin këtë kapital në nivelin e propozuar nga ligji, në rast të kundërt këto konsiderohen të çregjistruara. Pra, kjo është një masë e cila ka kushtëzuar efektin e zbatimit të këtij ligji", përfundoi Ministri i Ekonomisë
Ligji i miratuar sot në parlament vjen nga një rrugë e gjatë diskutimesh debatesh dhe kosnultimesht, pasi puna për procesin e reformës së ligjit "Për shoqëritë tregtare", ka nisur në muajin tetor të vitit 2006, duke filluar me miratimin e ligjit "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit", duke vazhduar më tej me ligjin "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare", si dhe me ligjin "Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike".
Gjithsesi edhe pse u realizuan këto ndryshime, në relacionin e ligjit "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare" si dhe në progres -raportin e vitit 2010 të Komisionit Evropian, po edhe në atë të vitit 2011 është vënë në dukje mungesa e përputhshmërisë së nenit 107 të ligjit "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare" me direktivën e dytë të Company Low nr. 7791, me nenin 6, pikën 1 të kësaj direktive, e cila parashikon vlerën e 25 mijë eurove për krijimin e shoqërive aksionare.
Nisur edhe nga neni 50, pikat 1 dhe 3 të MSA-së, është parashikuar që përafrimi i këtij legjislacioni, që nga viti 2006, pra nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje deri më sot, të përafrohet me legjislacionin e BE-së për fushën e shoqërive tregtare.

DISKUTOHET KONVERTIMI I BORXHIT ME ITALINE
Gjatë diskutimit në Kuvend të marrëveshjes "Për konvertimin e borxhit për zhvillim", me vlerë 20 milionë euro, Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se konvertimi i borxhit do të jetë i orientuar në sektorët socialë, si arsimi, shëndetësia dhe nxitja e punësimit.

Bode bëri të ditur se ky fond do të integrohet edhe me programet buxhetore të qeverisë në periudhë afatmesme.

Ndërkohë, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli kërkoi më tepër garanci nga qeveria shqiptare për mënyrën e investimit të këtij fondi.

Në bazë të skemës së konvertimit, shërbimi i borxhit (principal + interes) deri në shumën 20 milionë euro për disa kredi te akorduara nga qeveria italiane, nuk do ti paguhen kësaj të fundit, por do të depozitohen në një llogari fondi kundërparti (CPF). Pagesat në këtë fond do të bëhen në njëmbëdhjetë këste. Fondi i grumbulluar në këtë mënyre do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga të dy palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe gjenerimit të punësimit.
Për realizimin e këtij programi në mbështetje të politikave të zhvillimit social, do të funksionojë një Komitet i përbashkët menaxherial. Afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet që nga momenti i depozitimit të këstit të fundit në llogarinë e fondit CPF

KUVEND, NDËRPRITET SEANCA PARLAMENTARE PAS FJALËS SË TAHIRIT
Kuvendi ka ndërprerë punimet për 5 minuta menjëherë pas fjalës së deputetit të PS, Sajmir Tahiri.
Deputeti foli për gjobën 3.3 mln lekë të reja që Gjykata e Tiranës i vendosi duke e cilësuar fajtor për deklaratat e bëra në adresë të deputetes demokrate, Albana Vokshi.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli vendosi të ndërpresë për 5 minuta seancën. “Tahiri foli jashtë rendit të ditës”. tha ajo.

SHTYHET INTERPELANCA
Në seancën e sotme ishte parashikuar dhe një interpelancë me ministrin e Brenshëm, Bujar Nishani, kërkuar nga deputeti i opozites Gazmir Bizhga, por me kërkesë të vetë deputetit, kjo interpelancë është shtyre.

BETOHET DEPUTETJA PAULINA HOXHA
Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Paulina Hoxha është betuar sot para parlamentit. Hoxha zëvendëson ish- deputetin socialist Ilir Beqaj, të cilit i hoqi mandatin Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së një grupi deputetësh demokratë, sipas së cilës, Beqja kishte përfituar fonde publike nga bashkia e Durrësit, gjatë kohës kur kishte qenë deputet.
Paulina Hoxha është deputetja e dytë që betohet në gjysëm të mandatit dhe legjislaturës parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, pas Ramiz Çobës, edhe ky deputet i qarkut të Shkodrës. Deputeti i Partisë Demokratike zuri vendin e Gëzim Dibrës pas ndarjes së këtij të fundit nga jeta.

LIGJET ME 3/5
Kuvendi merr sot sërish në shqyrtim projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash. Edhe pse në seancat e fundit këto projektligje janë vendosur gjithnjë në rendin e ditës, përpjekja për votimin e tyre ka dështuar, pasi opozita nuk ka dhënë votën e saj, të cilën e kushtëzon me shqyrtimin e paktit prej 10 pikash të paraqitur nga lideri i opozitës, Edi Rama.

Projektligjet e vendosura në rend të ditës janë pr/ligji për Gjykatën Administrative, projekligjet për Kodin Penal dhe atë civil si dhe projektligjet për Kodin Rrugor dhe atë detar. Pritet që dhe gjate seancës së sotme të ketë debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.

(d.b/s.g/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ligji i mbetjeve, FRESSH proteston para parlamentit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›