Kuze, i gatshëm ta udhëheqë Beqirajn & Co
Por, një emër i njohur ka sjellë shumë gëzim në Zagreb. Bëhet fjalë për ish-selektorin e Shqipërisë, Josip Kuze, i cili është në dispozicion për t’u kthyer në Maksimir.
Kuze, të cilin e adhuronin tifozët ‘Bad Blue Boys’, në një prononcim për mediat kroate, e ka mirëpritur rikthimin e tij të mundshëm në Dinamo pjesë e së cilit është edhe sulmuesi kosovar, Fatos Beqiraj.
“Jam në moshë, kur duhet të marrë vendime të qarta. Aktualisht jam në bisedime rreth një angazhimi në Kinë, por jam i lirë nga obligimet. Andaj, tani për tani jam i lirë dhe do ta pranoja thirrjen e Dinamos”, ka deklaruar Kuze, i cili nuk pajtohet me mendimin e tashmë të ish trajnerit të shkarkuar Krunoslav Jurcic, i cili kishte thënë se vetëm pjesëmarrja e Dinamos në Ligën e Kampionëve ishte arritje e madhe për gjithë futbollin kroat.
“Nuk pajtohem. Vetëm plasmani në Ligën e Kampionëve nuk është dashur të na kënaq. Është dashur të arrinim më tepër dhe jam i sigurt se ka qenë e mundshme. Dinamo është klub i madh dhe i fuqishëm, kurse në këtë rast doli i vogël dhe qesharak”, ka theksuar ish-trajneri i kuqezinjve.