Nuk jam Messi

Neymar ka distancuar veten nga krahasimet e bëra nga legjenda e Brazilit, Pele, i cili kishte theksuar se sulmuesi i Santosit është më i mirë se ylli i Barcelonës, Lionel Messi.
Një ditë pas mbërritjes në Japoni, për Kampionatin botëror të klubeve, sulmuesi 19 vjeç i Brazilit reagoi shpejt duke dhënë mendimin e tij rreth kësaj çështjeje.
“Nuk kam ardhur këtu për të dëshmuar dikujt diçka”, tha Neymar gjatë një konferencë për shtyp në Nagoya të premten. “Gjithmonë kam thënë se Messi është futbollisti më i mirë në botë. Të ndalet Messi është shumë e vështirë por ne synojmë të gjejmë mënyra për ta ngadalësuar atë”, shtoi ai.
Neymar, gjatë verës spekulohej vazhdimisht me transferim te gjigantët evropian si Barcelona dhe Real Madrid para se të arrijë marrëveshje për vazhdimin e qëndrimit në Santos deri më 2014 dhe ndihmojë ekipin të triumfojë në Copa Libertadores në qershor.
Santos u kurorëzua mbret i Amerikës së Jugut pas gati 50 vitesh kur Pele i inspiroi drejt titullit më 1962 dhe 1963, ndërsa Neymar luajti rol kyç për rikthimin e lavdisë në klub. “Pele ishte legjendë, futbollist i rrallë”, tha Neymar i cili është krahasuar edhe me tre herë fituesin e Kampionatit botëror Pele. “Kurrë nuk do të mund të bëhem si ai”.
Në përjashtim të ndonjë befasie, Santos do të përballet me Barcelonën në finale të Kampionatit botëror të klubeve në Yokohama më 18 dhjetor. Santos duhet të mposht skuadrën meksikane Monterrey ose kampionin e J-League Kashiwa Reysol në gjysmëfinale njësoj sikurse Barcelona që do të takohet me Al Saddin e Katarit ose Esperancen e Tunizisë. Messi dhe Neymar synojnë të përballen mes vete në praninë e 70 mijë shikuesve në Yokohama.
“Ka kaluar kohë e gjatë prej kur kemi fituar Copa Libertadores. Por, gjatë pjesës së dytë të sezonit kemi punuar për Kampionatin botëror të klubeve”, theksoi ai.
Për dallim, Barcelona udhëton për në Lindjen e Largët pas El Clasicos me rivalin e përhershëm Real Madridin të shtunën. Santos do të jetë më i freskët dhe do të ketë më tepër kohë t’i përshtatet ambientit. Neymar është optimist se skuadra e tij ka çdo mundësi për të fituar trofeun.
“Nuk kam qasje të veçantë për lojën”, tha futbollisti më i mirë i vitit në Kampionatin brazilian. “Do të bëjë gjithçka që nevojitet për të fituar, njësoj sikur gjithë të tjerët në ekip. Nëse më ofrohet pak hapësirë do të ishte mirë sepse faulohem shumë. Do të jetë vështirë por dua të lë gjurmë me klubin tim dhe të jem pjesë e historisë së tij”, përfundoi Neymar.