E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: “Andorra, testi i të rinjve”



Tetë vjet pas ballafaqimit të dytë me Andorrën, kur Shqipëria nën drejtimin e Sulejman Demollarit humbi 2-0 në miqësoren e 17 prillit të vitit 2002 me vendin me vetëm 90 mijë banorë, e që shënoi edhe fundin e aventurës së trajnerëve shqiptarë në krye të Kombëtares shqiptare, kuqezinjtë, tashmë të drejtuar nga Josip Kuzhe, trajneri i pestë i huaj në harkun e tetë viteve, kanë shansit të regjistrojnë ndeshjen e tetë pa humbje në miqësoret ndërkombëtare, nga 25 maji i vitit 2008 (Poloni-Shqipëri, 1-0).
Gjithsesi, ballafaqimi i parë historik me Andorrën daton në vitin 2000, më saktë, më 6 shkurt të vitit 2000, kur Shqipëria fitoi 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Maltë, në kuadër të turneut “Rothmans Cup”, falë golave të realizuar Edmond Dalipi, Rudi Vata dhe Roland Zajmi. Skuadra jonë drejtohej asokohe nga Mehdin Zhega. Në takimin e vitit 2002, në fitoren 2-0 të Andorrës në stadiumin “Andorra La Vella”, golat mbajnë firmat e Gonzalesit (p) dhe Jimenezit. Duro është i vetmi i mbijetuar nga ajo ndeshje. Fitorja e këndshme ndaj Malit të Zi, e arritur vetëm para shtatë ditësh në Podgoricë është ende e ngrohtë. Edhe pse Shqipëria do të luajë pa katër titullarë, zëvendëkapitenin Lorik Cana, sulmuesin potent Erion Bogdani, dy mbrojtësit e njohur kosovarë, Armend Dallku e Debatik Curri, trajneri Josip Kuzhe (i pathyer në pesë miqësoret e tij) beson te forca e kuqezinjve të përzgjedhur prej tij për miqësoren e 77-të të Kombëtares.
Me një bilanc ekstrem: vetëm 3 fitore në 88 ndeshje (një nga këto me Shqipërinë), Andorra modeste (vendi i 181-të në FIFA), e që vetëm katër ditë më parë humbi 4-0 me Islandën në Rejkavik, do të paraqitet të mërkurën në “Qemal Stafa”, as më pak dhe as më shumë për të t’i dhënë mundësinë e artë Shqipërisë të regjistrojë fitoren e tretë rresht në miqësoret e këtij viti, pas dy të parave, me të njëjtin rezultat: 1-0, kundër Irlandës së Veriut, në Tiranë dhe Malit të Zi, në Podgoricë. Kuzhe: “Mungesa e 4 titullarëve është mjaft e rëndësishme për ekipin tonë, por unë llogaris që në eliminatoret e adhshme do të luajmë me 22 apo 23 futbollistë dhe normalisht që duhet t’i jepet mundësia që të luajnë të gjithë. Kam besim tek të gjithë lojtarët që kam në grumbullim dhe nuk besoj se mungesa e 4 titullarëve do të jetë kaq e rëndësishme”. Pasuesi i Ari Hanit, Josip Kuzhe, është një njohës i mirë i futbollit shqiptar, e për më tepër i mentalitetit që kanë futbollistët që ka në dispozicion. Ish-trajneri i Ruandës tregoi respekt për Andorrën, duke theksuar se për të ndeshja është e rëndësishme, nisur edhe nga fakti se do të testohen disa lojtarë të rinj, prej të cilëve ai pret mesazhe të mira në prag të konfigurimit të grupit bazë në prag të elimnatoreve të Kampionatit Europian të vitit 2012, ku Shqipëria ndodhet në grupin D së bashku edhe me Francën, Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Trajneri: “Francën e konsideroj si më të vështirën e grupit. Pashë ndeshjen mes Bjellorusisë dhe Hondurasit, të zhvilluar në Austri javën e shkuar dhe kundërshtarët tanë më lanë përshtypje të mirë. Edhe takimet miqësore që kemi zgjedhur janë pikërisht testim për eliminatoret ndaj këtyre lloj skuadrave”. Ndeshja miqësore, Shqipëri-Andorrë do të luhet të mërkurën në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 20:00.

MIQËSORET ME KUZHENË
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Andorra 02.05.2010

Precedentët
Ndeshja e së mërkurës (2 qershor) do të jetë ballafaqimi i tretë i Shqipërisë me Andorrën. Sfida e parë historike me Andorrën daton në vitin 2000, më saktë, më 6 shkurt të vitit 2000, kur Shqipëria fitoi 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Maltë, në kuadër të turneut “Rothmans Cup”, falë golave të realizuar Edmond Dalipi, Rudi Vata dhe Roland Zajmi. Skuadra jonë drejtohej asokohe nga Mehdin Zhega dhe u bë fituese e turneut, teksa fitoi edhe me Azerbajxhanin (1-0, gol i Edvin Muratit) dhe Maltës (1-0, gol i Vioresin Sinanit). Në takimin e vitit 2002, në fitoren 2-0 të Andorrës në stadiumin “Andorra La Vella”, golat mbajnë firmat e Gonzalesit (p) dhe Jimenezit. Duro është i vetmi i mbijetuar nga ajo ndeshje. Ndeshja e tretë miqësore, Shqipëri-Andorrë do të luhet të mërkurën në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 20:00.

PRECEDENTET

06.02.2000, Valeta
Shqipëri-Andorrë 3-0

17.04.2002, Andorrë
Andorrë-Shqipëri 2-0

02.06.2010, Tiranë
Shqipëri-Andorrë (02.06)

Formacioni
Trajneri i dytë kroat në krye të stolit kuqezi (i pari ka qenë, Oto Bariç) do të startojë kundër Andorrës me këtë formacion: portier Isli Hidi, departamenti i mbrojtjes është i përbërë nga Kristi Vangjeli (në të majtë), Endri Vrapi dhe Andi Lila (në qendër) dhe Ansi Agolli (në të djathtë). Kuarteti i mesfushës përbëhet nga Ervin Bulku dhe Klodian Duro (në qendër), Jahmir Hyka (në të majtë) dhe Ervin Skela (kapiten, pas dy sulmuesve). Vija e parë e sulmit është e kompozuar nga Hamdi Salihi (autori i golit të fitores në Podgoricë) dhe Edmond Kapllani (golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në kampionatet europiane, 5 gola). Gjithsesi, në pjesën e dytë do të ketë vend edhe portierin Ervin Llani, Ditmar Bicajn, Elis Bakajn, Gilman Likën, Emiljano Vilën, Gjergji Muzakën, Emiljano Veliajn, Ahmed Januzin e Parid Xhihanin.

Andorra
Andorra është një skuadër amatore. Lojtarët e saj luajnë kryesisht në skuadra që militojnë në Kategorinë e Tretë spanjolle. Andorra njeh tri fitore, një prej të cilave ndaj Kombëtares sonë. Andorra ka zhvilluar gjithsej 88 ndeshje ndërkombëtare, duke fituar tri, barazuar nëntë dhe ka humbur 76.
Golaverazhi që ka ky ekip kombëtar është i frikshëm, pasi kanë shënuar 30 gola dhe kanë pësuar 251 të tillë, me një bilanc negativ prej 221 golash. Lojtari me më shumë gola që luan aktualisht me përfaqësuesen e Andorrës është mbrojtësi Ildefons Lima. 30-vjeçari aktualisht mban edhe shiritin e kapitenit (pas largimit të Oskar Soneje) dhe është një ndër dy lojtarët që nuk luajnë në skuadrat vendëse, pasi aktivizohet te zviceranët e Belinzonës. Andorra renditet në vendin e 181 në renditjen e FIFA-s.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›