E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers takon Topin për krizën politike dhe debatin për Gjyqësorin

Ambasadori amerikan nuk harron krizën politike në vend

Eljona Ballhysa
Kriza politike në vend dhe debatet e fundit për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese kanë nxitur ambasadorin amerikan, John Withers, të zhvillojë një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Takimi është zhvilluar gjatë paradites së djeshme dhe nuk ka qenë i njoftuar për mediat. Madje, dhe në njoftimin zyrtar për shtyp në faqen e Presidencës është dhënë shumë pak informacion rreth bisedimeve që kanë zhvilluar dy personalitetet e larta. Por, ambasadori Withers ka treguar se ka qenë gjithmonë i angazhuar si për zgjidhjen e krizës politike në vend, ashtu dhe për të mbështetur pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Madje, pak kohë më parë ai replikoi në distancë me përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike për rrëzimin e një prej dekreteve të Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë.
Takimi
“Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pati një takim pune me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John L. Withers II. Biseda mes kreut të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit diplomatik të aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë u përqendrua në situatën aktuale politike në vend dhe çështjeve të Gjyqësorit shqiptar përsa u përket zhvillimeve më të fundit në këtë spektër”, - bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Presidencës, ndërkohë që nuk jepen detaje rreth qëndrimit të ambasadorit për vazhdimin e krizës politike në vend. Ambasada e SHBA-ve përshëndeti takimin e zhvilluar mes dy krerëve të politikës shqiptare, Rama dhe Berisha, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të nivelit të lartë të BE-së në Strasburg. Madje, Ambasada e SHBA-ve bëri thirrje që zgjidhja të vijë sa më parë nga spektri politik shqiptar. Por, megjithëse kanë kaluar mëse 2 javë nga darka e Strasburgut, përfaqësuesit e lartë të politikës shqiptare jo vetëm që nuk kanë gjetur zgjidhjen e krizës, për më tepër kanë ngritur sërish tonet kundër njëri-tjetrit. Në kundërshtim me rekomandimet e ndërkombëtarëve, kriza politike në Shqipëri vazhdon të mos ketë zgjidhje.
Gjyqësori
Pjesë e bisedimeve mes ambasadorit të SHBA-ve, Withers dhe presidentit Topi kanë qenë dhe emërimet e reja në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Presidenti Topi ka dekretuar së fundi tre anëtarë të tjerë për Gjykatën e Lartë, të cilët do të shqyrtohen së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë. Ambasadori Withers ka mbajtur qëndrim të prerë përsa i përket respektimit të pavarësisë së institucioneve të pavarura. Ai reagoi ashpër kundër votimit të PD-së që rrëzoi pak kohë më parë Vangjel Kostën, të dekretuar nga Topi si anëtar i Gjykatës së Lartë. Sipas ambasadorit Withers, vendimi i PD-së u mor mbi bazën e një ligji, siç është ai i lustracionit, që është cilësuar antikushtetues si nga Gjykata Kushtetuese, ashtu dhe nga Komisioni i Venecias. Madje, Withers shkoi më tej duke deklaruar se maxhoranca, nëpërmjet rrëzimit të dekreteve të Presidentit, po kërkon të ndikojë në përzgjedhjen e kandidaturave. Sipas Withers-it, kjo nuk respekton parimin e pavarësisë së institucioneve. Withers kërkoi që vendime të tilla të rëndësishme të merren në transparencë të plotë, Kuvendi të shqyrtojë kriteret profesionale të kandidatëve dhe të mos marrë vendime politike. Ky takim i Withers-it me presidentin Topi duket se kërkon të risjellë edhe njëherë në vëmendje detyrimet që ka politika dhe Kuvendi në prag të shqyrtimit të tre dekreteve të reja të Presidentit për Gjykatën e Lartë.

Shtyrja e Rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, PS: Faji i Berishës

Shtyrja e rezolutës për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian është shuplaka e parë pas skadimit të ultimatumit prej dy javësh që nga darka e Strasburgut, thonë socialistët. Sipas deputetit Ditmir Bushati, ky është reagimi i menjëhershëm i europianëve pas mungesës së një marrëveshjeje dhe është shenjë e seriozitetit me të cilin ata e vlerësojnë krizën politike në Shqipëri. “Fakti që Parlamenti Europian po shtyn diskutimin mbi rezolutën për Shqipërinë është një tregues i qartë që afati kohor që i është lënë klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën është një afat kohor serioz. Dhe, në rast se ne e marrim shuplakën e parë përmes kësaj shtyrjeje, nuk do doja të bëja Kasandrën, por fatkeqësisht duhet të përballemi me shtyrje të tjera. Është në dorë të politikës shqiptare dhe posaçërisht të kryeministrit, për të pranuar zgjidhjen e ofruar në tavolinë”, - është shprehur deputeti Bushati.
Sipas deputetit demokrat, Fatos Beja, mbledhja e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian nuk ka pasur të bëjë aspak me çështjen e liberalizimit të vizave dhe shtyrja e shqyrtimit të rezolutës për Shqipërinë është thjesht çështje axhende e punës së Komisionit. Beja sqaroi se rezoluta në fjalë ka të bëjë me proceset integruese të vendit. “Në radhë të parë duhet kuptuar që nuk është një mbledhje që lidhet me procesin e vizave, është një mbledhje që bëhet në kuadër të një rezolute që ka disa muaj që është paraqitur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Mbledhja kishte për t’u bërë për këto dy vende, për ecurinë e procesit të integrimit në BE. Pra, janë rezoluta të Parlamentit për procesin e integrimit. Ajo që është e rëndësishme është që nuk ka një mbledhje për procesin e vizave, procesi i vizave vazhdon”, - është shprehur Beja.

Arben Puto: “Nuk mund të injorohen deklaratat e Withers-it”

Një nga juristët e njohur, Arben Puto, në një intervistë dhënë gazetës “Albania”, e ka cilësuar të drejtë reagimin e ambasadorit të SHBA-ve. Sipas tij, reagimet e Withers-it për çështje të ndryshme, si për ligjin e SHISH-it, ashtu dhe për dekretet e Presidentit, nuk janë deklarata të tij personale, por janë qëndrime të qeverisë amerikane dhe si të tilla nuk duhen injoruar. “Kam mendimin se në këtë rast është kaluar çdo masë. Disa analistë mendjemprehtë kanë arritur të thonë se ky ka qenë një mendim personal i ambasadorit amerikan. Kjo do të thotë të vihet në dyshim serioziteti i Departamentit të SHBA-ve. Ambasadori ka ushtruar funksionin si përfaqësues i qeverisë së tij. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Withers dhe diplomatë të tjerë bënë vërejtje serioze për projektligjin e SHISH-it. Qeveria veproi drejt dhe e ktheu projektligjin mbrapsht. Diplomacia amerikane nuk është më pak e ndjeshme për respektimin e standardeve, të drejtave dhe të shtetit ligjor. Ambasadori e quajti atë një vendin politik që nuk është nisur nga kriteret e profesionalizmit, por nga synimi për të vënë nën kontroll sistemin gjyqësor. Caktohet kështu ndarja e pushteteve, goditet pavarësia e Gjyqësorit nga Ekzekutivi. Ky është një parim bazë i shtetit ligjor. Withers niset nga eksperienca e vendit të tij në këtë fushë dhe si diplomat amerikan nuk mund të rrijë indiferent përballë një vendimi që e gjykon shkelje. Edhe në këtë rast është nonsens, është mosnjohje e rregullave të thuash se u godit ‘vendimi i parlamentit sovran’. Përsëri, as këtu nuk ndihmon ‘sovraniteti’, as dogma e mosndërhyrjes në punët e brendshme. Është një vërejtje legjitime për një problem shumë serioz të shtetit ligjor. Le të diskutohet, le të jepen argumente, por jo të injorohen aktet bazë të së drejtës ndërkombëtare të kohës sonë”, - është shprehur Puto.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›