E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Argjentina?Kur më thanë emrinu tremba

TIRANE- Argjentina? Kur dëgjova për emrin e saj u gëzova, por më pas pata edhe një trembje. Josip Kuzhe e ka komentuar kështu miqësoren e 20 qershorit ndaj kombëtares së Lionel Mesit, në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit. Në një konferencë shtypi të mbajtur sot në mjediset e Federatës, kroati ka folur për përballjen me Argjentinën, por edhe për ndeshjen e 7 qershorit kundër Bosnje-Hercegovinës, për Euro 2012.

Jemi në prag të ndeshjes me Bosnjen, a ka informacion të mjaftueshëm Kuzhe për gjendjen e futbollistëve shqiptarë?
Sigurisht, kam një informacion të detajuar mbi gjendjen e lojtarëve tanë, por edhe të atyre boshnjakë, por do të presim javën e fundit për të patur një vizion më të qartë.

Sa i rëndësishëm është rikthimi i Dallkut dhe i Currit?
Unë jam i lumtur, sepse rikthimi tyre është shumë pozitiv për ne, pasi përsa kohë unë kam qenë trajner i kombëtares, ata kanë qenë pika shumë të forta.
Por, ka edhe disa lojtarë në superformë si Kapllani apo Bakaj, që kanë shënuar gola në ndeshjet e fundit?
Për Kapllanin mund të them se është e rëndësishme jo vetëm forma e momentit, por edhe për të ardhmen. Ai po kalon një formë të mirë, gjë që është e rëndësishme pas dëmtimit në janar.

Por, a do të jetë me Bosnjen?
Do të doja të ishte, por më parë më duhet të kontrolloj gjendjen e tij.

A vendos ndeshja me Bosnjen të ardhmen e Kuzhe?
Jo, nuk mendoj kështu. Ajo është një ndeshje e rëndësishme për ambiciet tona dhe për të ardhmen tonë, ndërsa për të ardhmen time nuk besoj se do të jetë shumë, shumë e rëndësishme.

Mund të na i sqaroni zërat në lidhje me Dinamon e Zagrebit?
Problemi është që te Dinamo e Zagrebit, sa herë ndryshojnë trajner, përmendin gjithnjë emrin tim. Dy javë para se të largonte Halilhoxhiç, presidenti Mamiç më mori në telefon dhe më tha që donte të bisedonte me mua. Unë i thashë që mund të flasim vetëm si miq për çfarëdo problemi, por jo për të ardhmen time. Atij ia kam bërë të ditur që të paktën për një vit nuk mund të bisedojmë asgjë.

Pas ndeshjes me Bjellorusinë keni thënë që në Bosnje do të luajmë në sulm, i qëndroni akoma kësaj ideje?
Mua më pëlqen që të fitoj dhe që të fitosh duhet të sulmosh, të bësh lojë dhe të kesh një mentalitet më ofensiv.

Sa pozitivisht mund të ndikojë fakti që boshnjakët gjatë kësaj kohe janë marrë më shumë me pezullimin?
Nuk mendoj se ndikon. Ata janë një ekip që i njohin vlerat e tyre dhe që duan të shkojnë në Europian, kështu që nuk besoj se çështja e pezullimit do t’i shqetësojë në përgatitjet e tyre. Ne mendojmë dhe besojmë se do të bëhet një ndeshje shumë e fortë.
Dy lojtarë të kombëtares, si Bogdani dhe Lala, por edhe Skela, kanë deklaruar se në fund të edicionit do të tërhiqen, keni menduar për zëvendësimin e tyre?
Ky është një proces që kombëtarja do ta vuajë herët a vonë. Por, ne nuk mund të luajmë me këtë ide. Për momentin jemi duke u përpjekur që të ndërtojmë një skuadër të mirë edhe për të ardhmen, pavarësisht nëse unë do të jem apo jo.

Më 20 qershor luajmë një miqësore me Argjentinën, por është një periudhë pushimi, keni menduar se ku do t’i gjeni futbollistët për këtë takim?
Duhet të dini që unë gjithnjë kam dëshirë që ne të luajmë ndeshje, pavarësisht se cili është kundërshtari dhe koha. Por, kjo është një sfidë historike për Shqipërinë, për popullin shqiptar, por edhe për mua dhe futbollistët. Pra, në fillim ne nuk menduam për vështirësitë që mund të na dalin rrugës, por gjithsesi them se edhe futbollistët janë shumë të lumtur. Gjithsesi, unë dua që të shkojmë atje dhe të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe jo që kjo të mbetet në histori, që dikur kemi luajtur me Argjentinën.

Cili ishte reagimi i parë kur mësuat se Shqipëria do të luajë me Argjentinën?
Ishte një ndjenjë e çuditshme, së pari shumë i lumtur që do të luanim një ndeshje të madhe, që do të luanim ndaj Argjentinës dhe Mesit. Por, si trajner jam edhe pak i frikësuar për atë çfarë mund të ndodhë në atë ndeshje. Nuk besoj se do të bëjmë një ndeshje të keqe, pasi mua më pëlqen shumë të luaj ndaj ekipeve të forta. Sidoqoftë, jam vërtet shumë i lumtur.

Keni menduar si do ta neutralizoni Mesin në këtë ndeshje?
...(qesh me të madhe)...Më lini të mendoj njëherë për Xhekon., Shikoni, Mesi është një lojtar shumë, shumë i mirë, dhe mund ti vendosësh dy veta, por tek Argjentina për fat të keq nuk është vetëm ai.

Ju i keni ndjekur ndeshjet e kampionatit, keni parë ndonjë talent që është i gatshëm për kombëtaren?
Nuk dua të flas aq shumë për emra, sepse t’ju them të drejtën nuk i kam ndjekur të gjitha ndeshjet, por më shumë për strategji. Më duhet të them se nuk jam edhe aq i lumtur, sepse, në çështjen e zhvillimit të lojtarëve të rinj, këtu në Shqipëri nuk punohet fare. Nuk bëhet si në vendet e tjera që kemi përqark dhe për këtë më vjen keq. Shqipëria mund të bëjë më shumë, sepse këtu ka talent dhe të rinj që e dashurojnë futbollin, por duke parë punën e kryer me ta, nuk besoj se po rritet një brez i mirë për të ardhmen.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›