E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili dominon futbollin

Brazili ka rëndësi globale në futboll. Lojtarët e këtij vendi e kanë pushtuar botën e futbollit. Pothuajse çdo skuadër e madhe evropiane ka së paku një brazilian në ekip. Lojtarët e këtij vendi më së shumti gjejnë strehë në Portugali, ku më pas kalojnë në liga më të forta. Nga Express më 18 maj 2011 në ora 08:30

Futbolli brazilian ka ditur të sjellë gjithmonë talente me bollëk. Ky vend konsiderohet edhe si ‘fabrikë’ e futbollistëve. Nga vendi i njohur si ‘shtëpia e kafesë’ çdo vit zbarkojnë në Evropë dhjetëra futbollistë. Ata e preferojnë kontinentin e vjetër për shkak të kushteve më të mira ekonomike.

Brazilianët kryesisht zbarkojnë në Portugali, pasi që janë ish koloni e këtij vendi dhe përshtaten më mirë. Finalisti i Europa League, Braga ka aktivizuar 12 futbollistë brazilianë këtë sezon, më shumë se gjysma e ekipit. Faktikisht, çdo klub i madh evropian ka së paku një lojtar nga vendi gjigant jug-amerikan.

Finalisti i Ligës së Kampionëve, Manchester United në skuadër ka tre brazilianë: Rafael e Fabio da Silva dhe Anderson. Numër të njëjtë posedon edhe finalisti tjetër i kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube, Barcelona: Adriano, Dani Alves e Maxwell.

Edhe kampioni i ri i Italisë, Milan, në gjirin e vet ka tre brazilianë: Pato, Thiago Silva e Robinho, derisa në pjesën e parë të sezonit kishte edhe Ronaldinhon. Duke e konsideruar këtë fakt, këto klube kanë së paku nga një lojtar të aftë për të luajtur në ‘Seleçao’.

Pa dyshim, Portugalia përfiton më së shumti nga fluksi i talentëve ‘Samba’. Duke u bazuar nga ‘Global Player Migration Report 2011’ (Raporti global i emigrimit të futbollistëve në vitin 2011), dy ligat portugeze ‘popullohen’ nga 95 lojtarë të rëndësishëm nga Brazili, me Bragan që konsiderohet si vatër e brazilianëve.

Nuk duhet harruar se në finalen e së mërkurës, në Europa League, kundërshtari i Bragas, Porto, mund t’i ketë gjashtë brazilianë në përbërjen e parë. Për shkak të gjuhës së njëjtë, shumica e futbollistëve brazilianë e zgjedhin Portugalinë. Ata adaptohen në këtë vend për të kaluar më pas në ndonjë ligë më të fortë evropiane.

Shumë prej tyre e ndërrojnë kombësinë. Për shembull, qendërmbrojtësi i Real Madridit, Pepe është njëri prej shembujve që një lojtar vendos të luajë për një vend tjetër, në këtë rast Portugalinë, pasi e kaloi pjesën më të madhe të karrierës në vendin evropian.

Një shembull më konkret mund të jetë futbollisti Liedson, i lindur dhe rritur në Brazil, por i natyralizuar në portugez, vetëm për të marrë pjesë në Botërorin 2010.

Brazili, eksportuesi më i madh i lojtarëve

Vendet jug-amerikane prijnë sa i përket eksportimit të lojtarëve në vendet tjera. Brazili dhe Argjentina janë vendet të cilat i ‘furnizojnë’ më së shumti vendet tjera me futbollistë. Pesë herë kampioni i botës gjatë vitit 2010 ka eksportuar 283 futbollistë, kurse nga Argjentina kanë dalë 215 lojtarë.

Pozita e tretë i takon Serbisë, nga e cila 150 futbollistë gjetën strehë në vende të tjera të botës. Këto statistika e vërtetojnë se eksporti i futbollistëve nga Brazili po rritet çdo vit dhe se ky vend vazhdon të prodhojë më së shumti talente në botë.

Destinacioni i brazilianëve në vitin 2010
1. Portugalia95
2. Koreja e Jugut15
3. Japonia14
4. Irani12
5. Rumania11
6. Ukraina10
7. Greqia9
8. Italia9
9. Suedia8
10. Azerbajxhani7
11. Spanja7

Liderët e eksportit të futbollistëve në vitin 2010
1. Brazili283
2. Argjentina215
3. Serbia150
4. Uruguai96
5. Franca77
6. Spanja77

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›