Ferguson nuk e lëshon karrigen

Sir Alex Ferguson respektohet nga të gjithë. Skocezi konsiderohet si njëri prej trajnerëve më të mirë në histori të futbollit.
Fituesi i freskët i titullit të 12-të në Premierligë e ka frenuar entuziazmin e komshinjve të Manchester Cityt, të cilët ditë më parë e festuan fitoren në FA Cup dhe treguan se objektiv i radhës për ta është titulli i kampionit.
Ferguson ka bërë të ditur se nuk e ka ndërmend të pensionohet dhe se nuk dëshiron në këtë mënyrë që t’ia hapë dyert trajnerit Roberto Mancini dhe të tjerëve.
“Ne i pranojmë të gjitha sfidat, nuk ka rëndësi se nga vijnë ato. Pritet që ne do të luftojmë me Cityn për titull sezonin e ardhshëm”, tha Ferguson për tabloidin britanik The Sun.
“Personalisht ndiej ende se kam përgjegjësi të madhe ndaj United. Për këtë nuk do të largohem. Nuk e kemi ndërmend të ndihemi komodë për faktin se e kemi fituar titullin. Dëshirojmë të përmirësohemi gradualisht”, shtoi trajneri skocez, i cili po e bën gati ekipin për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës, e cila do të zhvillohet më 28 maj.