Kuzhe: Dua një kundërshtar si Bosnja, por Brazili nuk vjen
Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, nuk i ka kursyer elozhet për Bosnjë-Hercegovinën, rivalin e Kombëtares kuqezi në grupin e Eliminatoreve të Euro 2012. Gjithçka e ka bërë në një intervistë të dhënë për gazetën sportive boshnjake, “Avaz Sport”, ku ka bërë një analizë të përgjithshme të Grupit D, ku bëjnë pjesë Shqipëria e Bosnja, por edhe Franca, Rumania, Gjeorgjia dhe Luksemburgu. Po ashtu, tekniku kroat ka rrëfyer objektivin e Kombëtares sonë, por edhe ka bërë disa komplimente për skuadrën boshnjake dhe trajnerin e saj, Safet Sushiç.
PretendimetShqipëria, shkruan gazeta, do të jetë një nga kundërshtarët tanë në eliminatoret për Europianin Poloni e Ukrainë 2012. Ekipi që drejton ish-trajneri i Boracit të Banja Lukës, pra Josip Kuzhe, mund të quhet mina lundruese dhe mund të na shkaktojë probleme, siç ua shkaktoi në eliminatoret e kaluara Danimarkës dhe Portugalisë, të cilave u mori me meritë nga një barazim. Por Kuzhe nuk pretendon dhe nuk pret ndonjë sukses të madh në këto eliminatore. "Jo. Jemi të ndërgjegjshëm për faktin se ndodhemi në një grup të vështirë, por besoj se publiku në Shqipëri do të kërkojë rezultate të mira, rrëfen trajneri kroat. Për ne do të ishte një sukses i madh nëse do të arrinim në vend të tretë. Në këtë mënyrë, në eliminatoret e ardhshme do të ndodheshim në vazon e tretë apo të katërt. Shtylla jonë në këto eliminatore do të jetë Cana, Bogdani, Skela, Lala, por edhe një numër i madh lojtarësh të rinj dhe të paafirmuar ende”.
ParapërgatitjetKuzhe ndeshjen e parë do ta luajë ndaj Rumanisë, shkruan gazeta boshnjake, ndërsa kombëtaren tonë (të Bosnjës) e krahasoi me Brazilin e madh. “është e qartë se rumunët janë në krizë. Nuk është më ai ekip që dikur quhej ‘Brazili i Karpateve’, thekson trajneri i Shqipërisë. Do të jetë shumë e rëndësishme mënyra se si do t'i fillojmë eliminatoret. Pas kësaj, do të na vijë Luksemburgu, të cilin në asnjë mënyrë nuk mund ta nënvleftësojmë dhe pas tij Bosnjë-Hercegovina. Muajin që vjen do të luajmë një miqësore në Podgoricë ndaj Malit të Zi dhe pastaj në Tiranë ndaj Andorrës. Ndërkohë që tani jemi në një fushatë në kërkim të një skuadre që të luajë si Bosnjë-Hercegovina, por për fat të keq kundër Brazilit është e pamundur të organizojmë një ndeshje miqësore”.
Bosnjë-HercegovinaKuzhe pyetet më pas edhe se si e vlerëson Kombëtaren e Bosnjë-Hercegovinës. "Bosnjë-Hercegovina është një skuadër ku shkëlqen krijimtaria, nënvizon tekniku i kuqezinjve. Për mua, kjo është skuadra kombëtare me më shumë perspektivë në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Keni ekip shumë të mirë, lojtarë që luajnë në klubet më të forta të Europës dhe që dinë ta përballojnë presionin. Kjo është një cilësi më shumë për Kombëtaren që drejton Safet Sushiçi”. Duket se trajneri i Shqipërisë e njeh mirë ekipin boshnjak. “Për Xhekon është e kotë që të shpenzoj fjalët. Kohët e fundit më ka tërhequr shumë Pjaniçi i Bajernit, shton Kuzhe. Aty është edhe Ibriçiç i Hajdukut. Lojtar cilësor në mbrojtje është Emir Spahiç. Për më tepër, ai është edhe kapiteni i Kombëtares. Për pak harrova Misimoviçin dhe Ibisheviçin. Pra, Bosnjë-Hercegovina ka 5-6 lojtarë, që me veprimet e tyre mund të zgjidhin një ndeshje”.
#