Luan Krasniqi lufton për të vazhduar karrierën në boks
Pasi ka shijuar disa ditë pushimi në një resort të Turqisë, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën 1-vjeçare, Luan Krasniqi e ka hedhur sërish shikimin nga e ardhmja si profesionist. Jeta e tij është e lidhur ngushtë me boksin, e në moshën 38-vjeçare ai nuk e pranon kurrsesi idenë që të dalë në pension. Kjo pavarësisht faktit se nuk ngjitet në ring prej afro një viti e gjysmë. Në fakt, dueli i fundit i Krasniqit është ai i humbur me “knock out” përballë Aleksander Dimitrenkos, në arenën “Universum” të Hamburgut, në nëntor të vitit 2008. Megjithatë, ai nuk i ka braktisur kurrë shpresat për t’u rikthyer. “Vazhdoj të stërvitem për të mbajtur trupin në formë dhe do të jepja gjithçka për një shans tjetër”, deklaroi boksieri i lindur në Junik të Kosovës. Krasniqi nuk e pranon faktin se karriera e ndritur, gjatë së cilës ka fituar një medalje bronzi në Olimpiadën 1996 në Atlanta, një medalje argjendi në Botërorin 1995 për amatorë dhe një medalje ari në të njëjtin aktivitet të zhvilluar në vitin 1996, po vjen drejt fundit. Kontrata i ka skaduar prej kohësh, gjithsesi ai vazhdon të stërvitet me promotorin Klaus-Peter Kohl. “I kam kërkuar të më thotë me sinqeritet nëse qëndrimit tim në ring i ka ardhur fundi, por ai m’u përgjigj se do të më jepte edhe një tjetër shans. Kam ende besim se do të dueloj të paktën edhe një herë”, tha fituesi i brezit të kampionit interkontinental në versionin WBO në vitin 2007. Krasniqi ishte një prej alternativave për të boksuar në një prej tre ndeshjeve të korrikut që do të zhvillohen në Hamburg. Por, në realizimin e kësaj ideje rëndon mosha e tij e madhe.
ëndrra e Krasniqit mbetet përsëritja e dyluftimit me Dimitrenkon. Por, ky i fundit është sfidanti i vetëm i britanikut Audlej Herrison, kampionit europian. Si kundërshtarë të mundshëm, “luani” po shqyrton edhe boksierin nga Kazakistani, Denis Bakhtov, por edhe ukrainasin e mirënjohur, Vitali Klitçko. Krasniqi ka folur me kampionin e botës në versionin WBC dhe zbuloi disa detaje të bisedës: “I thashë se në vend që të përballej me polakun Albert Sosnovski, më 29 maj duhej të ndeshej me mua. Ky duel padyshim që do të tërhiqte mjaft vëmendje në Gjermani”.