Studimet e pjesshme, shtohen 80 kuota të reja pranimi
Qeveria ndryshon për të dytën herë kuotat për studimet me kohë të pjesshme, duke shtuar 80 pranime të tjera për programet e studimit të ciklit të parë. Sipas vendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, kuotat e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2011-2012, do të jenë 9430, nga 9350 që ishin më parë. Sakaq, kuota totale e pranimeve do të ndahet, sipas disa kategorive që përkatësisht janë: 8650 në programet e studimit të ciklit të parë, më kohë të pjesshme; 40 në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë, 200 për transferim studimesh; 400 për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetas të tjerë të huaj; 20 për personat që nuk shikojnë; 20 për romët/ ballkano-egjiptianë; 100 për të përndjekurit politikë. Sipas afatit të përcaktuar nga MASH, aplikimet për studimet me kohë të pjesshme në universitetet publike të vendit do të nisin në datën 17 tetor dhe kandidatët do të kenë vetëm pesë ditë kohë në dispozicion për të kryer këtë procedurë.