E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk paguhen, avokatët e Beratit refuzojnë gjykatën

Berat

Avokatët e Beratit nuk janë paguar prej muajsh për çështjet e mbrojtura prej tyre me kërkesën e gjykatës. Janë nëntë avokatë që nuk janë paguar prej kohësh, ndërkohë që kanë deklaruar se nëse nuk i marrin pagesat brenda këtij muaji, ata nuk do t’i mbrojnë më çështjet që u cakton gjykata. Bëhet fjalë për praktikën e caktimit të avokatëve “kryesisht” nga gjykata, për ata të pandehur që nuk kanë mundësi financiare të pajtojnë vetë avokat. Gjykata e Beratit u detyrohet nëntë avokatëve nga njëqind deri në treqind mijë lekë, pasi që nga muaji qershor e në vijim ata nuk janë paguar për punën e bërë. Niveli i ulët ekonomik i banorëve të qytetit të Beratit bënë që shumë të ndaluar për vepra të ndryshme penale mos të kenë të ardhura për t’u mbrojtur vetë me avokatë. Familjarët e të ndaluarve, pasi dështojnë në përpjekjet e tyre për të siguruar një avokat, i kërkojnë zyrtarisht gjykatës që t’u caktojë një avokat “kryesisht”. Avokatët shprehen se do të bashkohen në zyrën e kryetarit të Dhomës së Avokatëve dhe do të vendosin që në muajin prill e në vijim nuk do të mbrojnë asnjë çështje “kryesisht”. Rreth këtij problemi, burime nga institucioni i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në këtë qytet bëjnë me dije se fondi përkatës për pagesën e avokatëve mbrojtës nuk ka mbërritur nga Ministria e Drejtësisë dhe menjëherë sapo të lëvrohet do t’u kalojë avokatëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›