E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: “Të bëjmë diçka të mirë”

Projekti “fiks” i trajnerit të Kombëtares: “Do të luajmë me dy sulmues”. Tekniku danez, Olsen: “Jemi të parët, do të fitojmë kundër Shqipërisë”

Emocionet për ndeshjen kundër Danimarkës kanë mbërthyer edhe një trajner të “qeshur” e “hokatar” si Josip Kuzhe. Numri një i bankinës kuqezezë synon vazhdimin e serialit pozitiv të realizuar me Portugalinë, Gjeorgjinë e Qipros, pavarësisht se me portugezët humbi 2-1 në minutën e fundit, por pas një paraqitje vërtet dinjitoze kundër ekipit të udhëhequr në fushë nga Kristiano Ronaldo me shokë. “Kundër Danimarkës do të mundohemi të bëjmë diçka të mirë, duke mos parë më nga e kaluara. Do të mundohemi të përmirësojmë grupin në mënyrë konstante”, - tha trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, në konferencën e tij të parë për shtyp në ditët anti-daneze.

DY SULMUES
Kombëtarja A fitoi 4-0 testin e kontrollit me përfaqësuesen U-19 të drejtuar nga Ramadan Shehu, "ndeshja" e vetme përpara takimit me Danimarkën. Erjon Bogdani shënoi në pjesën e parë, ndërsa Ervin Skela, Edmond Kapllani e sërish Skela me penallti realizuan në fraksionin e dytë. Kuzhe rreshtoi skuadrën 4-4-2, duke pasur në sulm në pjesën e parë dyshen Bogdani-Salihi, ndërsa në të dytën çiftin Kapllani-Berisha. Të njëjtën “ide fikse” ka dhe për ndeshjen kundër danezëve. “Sigurisht që ne do të luajmë me dy sulmues. Megjithatë mua do më pëlqente më shumë një lojë, ku mesfushorët të jenë shumë aktiv, sidomos ata që dinë të mbajnë topin dhe krijojnë raste”. Në ndeshjen më “prodhimtare” të Shqipërisë, ajo kundër Qipros, ku u shënuan 6 gola, Kuzhe, preferoi të luante me dy sulmues të mirëfilltë, Bogdanin e Salihin, i pari shënoi një nga gjashtë golat dhe i dyti mori dy penallti e dha një asist.

MIQËSORJA
Trajneri Josip Kuzhe u shpreh i pakënaqur në përgjithësi nga impenjimi i lojtarëve në miqësoren me përfaqësuesen U-19, por tekniku duket se ka gjetur dhe arsyet. “Ndoshta në miqësoren e fundit, lojtarët mund të kenë qenë të gjithë të lodhur nga stërvitja apo temperaturat e larta. Gjithashtu, edhe unë pas ndeshjes kam qenë disi i nxehur nga ajo që pashë në fushë. Megjithatë, 24 orë më pas jam më i qetë dhe ajo që ndodhi nuk ishte ndonjë gjë e madhe”. Në portë pjesën e parë luajti Ujkani, ndërsa në të dytën Hidi. Lorik Cana u vendos nga Kuzhe në rolin e tij “natyral” në Kombëtare, atë të qendërmbrojtësit, por në pjesën e parë partner Currin e në të dytën, Beqirin.

VANGJELI
Mbrojtësi Kristi Vangjeli, i dëmtuar gjatë një seance stërvitore pas një përplasje me mbrojtësin tjetër Andi Lilën, do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën 4 javë. Mbrojtësi i Arisit të Selanikut e ndoqi ndeshjen miqësore nga tribuna, pasi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Kuzhe, ndërkohë që kushtëzon jo pak formacionin kundër Danimarkës: “Ajo që unë mund të them në këto momente, është se më shqetëson shumë dëmtimi i Vangjelit. Ai është një lojtar tepër i rëndësishëm për ekipin dhe për këtë ndeshje unë duhet të ndryshojë diçka, për shkak të mungesës së tij”, - tha trajneri kroat.

OLSEN
Kombëtarja e Danimarkës nuk e diskuton aspak fitoren në ndeshjen kundër Shqipërisë. Trajneri i saj Morten Olsen ka thënë se skuadra e tij është favorite. “Sigurisht, kundër Portugalisë nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi ata kanë lojtarë shumë te mirë që luajnë në kampionatet më të fortë të Europës. Por ne jemi të parët në grup dhe i kemi mundësitë të fitojmë jo vetëm kundër Portugalisë, por edhe të mërkurën në fushën e Shqipërisë”, është shprehur trajneri i Danimarkës, Morten Olsen. Grupi 1 eliminator kryesohet nga Danimarka me 16 pikë, e ndjekur nga Hungaria me 13, ndërkohë që Portugalia dhe Suedia kanë nga 9 pikë, e Shqipëria, 6 pikë.

“Haxhi është i mirëpritur”

Ish-mesfushori i majtë i Kombëtares dhe aktualisht lojtari i Apoel Limasolit, kampionit të Qipos, dhe pjesëmarrësit të vetëm shqiptar në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, është duke bërë një paraqitje të shkëlqyer me skuadrën qipriote. “Të them të vërtetën jam i informuar për gjendjen e Altin Haxhit. Unë di që përpara dy vitesh ai ka dhënë dorëheqjen nga Kombëtarja. Tashmë, rikthimi varet nga Haxhi”, -tha Kuzhe.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›