Kuzhe, ditëlindje me barazim: Jam i kënaqurNje dite para ndeshjes me Estonine Kuzhe mbushi 57 vjeç

Rrjetet sociale:
Kombëtarja A e Shqipërisë luajti të shtunën e kaluar me Estoninë në Talin (14 nëntor), por të besuarit e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, nuk mundën t’i dhuronin më shumë se një barazim pa gola kroatit, i cili vetëm një ditë më parë kishte festuar mes të ftohtit e larg familjes 57-vjetorin (Kuzhe ka lindur më 13 nëntor të vitit 1952).
Gjithsesi, Kuzhe, kroati i dytë që ka drejtuar stolin e Shqipërisë, pas Oto Bariçit, u shpreh i kënaqur gjatë konferencës tradicionale të tij me barazimin e parë në transfertë të tij. Tekniku foli me nota optimiste rreth të ardhmes së Shqipërisë dhe se kishte marrë sinjale pozitive nga takimi i parë miqësor pas dështimit të Kombëtares në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010.
Trajneri testoi disa lojtarë të rinj nga minuta e parë: Elis Bakaj (Dinamo), Gilman Lika (Boluspor) apo dhe Jahmir Hyka (Mainc 05), përkrah titullarëve me përvojë si Ervin Skela, Klodian Duro, Lorik Cana, Armend Dallku e Debatik Curri.
“Ishte vetëm ndeshja e parë pas eliminatoreve dhe sapo kemi nisur një cikël të ri në Kombëtare. Sigurisht, ishte vetem nje ndeshje miqësore, por ashtu siç e kisha thene edhe më parë ne kishim disa objektiva dhe mendoj se disa i kemi arritur, si përshembull aktivizimi i lojtareve te rinj. Jam i kënaqur me lojën e tyre, por ka nevoje për më shumë përmirësim, pasi ishte vetëm ndeshja e parë”, tha Kuzhe, i cili kundër Estonisë zhvilloi ndeshjen e tij të gjashtë në drejtimin e Shqipërisë.
Shqipëria luante një ndeshje ndërkombëtare pas humbjes 4-1 me Suedinë në eliminatoret e Botërorit dhe Kuzhe është kujdesur shumë për një rezultat pozitiv. “Pas asaj humbje 4-1 me Suedinë, gjëja e parë që unë kërkoja ishte të kishim një organizim të mirë në mbrojtje. Dhe këtë e thashë edhe pas ndeshjes në Estoni se me mbrojtjen isha i kënaqur”, - tha tekniku që realizoi kundëer Estonisë barazimin e tij të tretë në gjashtë ndeshje me Kombëtaren (1 fitore dhe 2 humbje).
Kuzhe kundër Estonisë u pa në një version “miks”, duke përzgjedhur midis lojtareve me eksperiencë dhe atyre të rinj, duke dhënë një sinjal të qartë se me shumë kërkon rezultat se sa risi me përfaqësuesen.
Kuzhe u tregua kursimtar me të rinjtë në Estoni Vila luajti vetëm 24 minuta së bashku dhe me tri minutat shtesë, Muzaka (18 minuta), Sefa (5 minuta) dhe Lila (2 minuta), duke mos futur në këtë llogari Kapllanin (19 minuta). Nga ana tjetër, mbrojtësi Franc Veliu nuk u aktivizua asnjë minutë.
“Mora përgjigje pozitive nga lojtarë e rinj, por nuk mund te mbështetem vetëm tek ata. Nuk do të ishte një Kombëtare e vërtetë. Nuk mund të bëjmë pa lojtarët me eksperiëncë si Skela, Duro apo Bogdani, që do të jenë pjesë e skuadrës edhe në të ardhmen”, -theksoi Kuzhe. Në fakt, Skela, Duro apo Bogdani i kanë kaluar të 30-at dhe rendimenti i tyre mund të rezultojë në rënie.
“Shqipëria ka një potencial të madh sulmues për të ardhmen, duke nisur nga Bala, Roshi, Cikalleshi Januzi apo Shkurtaj, por për momentin sulmuesit e kombëtares janë Bogdani, Salihi dhe Kapllani”, - tha Kuzhe, duke rikonfirmuar edhe njëherë besimin për gardën aktuale të vijës së parë.
Kuzhe u tregua diplomat në lidhje me përgjigjet dhe përgjegjësitë e tij në raport me Kombëtaren dhe futbollin shqiptar në tërësi, apo me ndërhyrje të mundshme nga faktorë brenda Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me listën e lojtarëve dhe formacionin që hedh në fushë.
“Do të isha i sëmurë nëse do të mendoja se futbolli shqiptar fillon me ardhjen time këtu. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por ne duhet të respektojmë historinë. Për momentin, as nuk dua ta komentoj pyetjen nëse mua më ndërhyjnë në formacion apo jo”, - u shpreh tekniku i pestë i huaj në kohën e presidentit aktual të FSHF-së, Armand Duka.
I pyetur në lidhje me rinovimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, Kuzhe ka thënë se do të respektoje kontratën e tij. Pak ditë para ndeshjes së Shqipërisë me Estoninë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, rikonfirmoi besimin te trajneri kroat.
Estoni-Shqipëri 0:0
Estonia: Pareiko, Shishov(Jager 46’), Rahn (Klavan 46’), Piroja, Kruglov, Purje(Barengrub 88’), Dmitrijev, Vasiljev, Lindpere, Sag (Voskoboinikov 60’), Vikmae (Sidorenkov 46’).
Shqipëria: Hidi, Dallku (Lila 91’), Cana, Curri, Agolli, Duro, Skela, Hyka(Sefa 88’), Bakaj(Vila 71’), Lika(Muzaka 75), Salihi (Kapllani 75’). Trajner:J.Kuzhe
Gjyqtarë: Audrius Kancleris, A.Seskus, J. J.Lukjanciukas (Lit)
Kartonë të verdhë: Piroja(2)
Karton i kuq: Piroja 86’
SHQIPËRIA ME KUZHENË
ZYRTARE
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1
MIQËSORE
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 10-9
Numri i klikimeve - 299
E Hene, 16 Nentor 2009