E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe, kokë a pil: Rumania, ndeshje për kornizë

Nga Adi Metaliu

Kroati thekson se fitorja e mundshme me rumunët do të mbetet në kujtesë, si diçka e bukur e këtyre eliminatoreve

Para ndeshjes së fundit në grup me Rumaninë, në ambientin shqiptar mund të flitej ndryshe në rast se kuqezinjtë do të kishin mundur Luksemburgun në transfertë. Sepse, me një fitore të mundshme Shqipëria do të renditej e treta në grup. Ja që një ndeshje e humbur ka shkatërruar gjithë atë punë të mirë të nisur me barazimin 1-1 në Pietra Neamt, më shumë se një vit më parë. Mirëpo Kuzhe nuk dëshiron të largohet (nëse presidenti Duka vendos kështu), duke lënë një shije të hidhur në drejtimin e Shqipërisë.

Pse Hyka në stol, ai luajti mirë në Francë?

Hyka luajti një ndeshje pozitive ndaj Francës dhe Malit të Zi në miqësore, por besoj se në këtë ndeshje më i avantazhuar është Bakaj, sepse luan në Rumani dhe ka më shumë motiv përballë tyre. Hyka është i lodhur, ndaj dua lojtarë më të freskët. Pasi kemi humbur Skelën, kemi nevojë për një lojtar që luan me topin, pason mirë dhe është i rrezikshëm me gjuajtjet nga larg. Bakaj i ka të gjitha këto cilësi.

Lila ka luajtur në disa role në kombëtare, këtë radhë në të majtë?

Lila ka luajtur në këtë rol edhe te PAS Janina, ndonëse vetëm një ndeshje. Doja ta aktivizoja në mesfushë, por e kemi krahun e majtë të zbuluar. Në atë krah sulmon Torzhe, që është shumë i shpejtë. Lila di të luajë mirë në hapësirë dhe mbron mirë kundër lojtarëve të shpejtë.

Çfarë pritni nga Rumania?

Rumania ka ardhur me motivimin për të bërë një ndeshje të mirë, për të shënuar dhe për ta mbyllur mirë këtë edicion. Edhe ne këtë qëllim kemi, të lëmë diçka pozitive në këto eliminatore. Nëse fitojmë, do të thotë se me skuadrat e mëdha, përveç Francës, ndajmë pikët. Besoj se kjo do të ishte diçka për tu kujtuar. Kam folur me lojtarët dhe u kam thënë se, nëse fitojmë me Rumaninë, atëherë do ta mbyllnim me diçka pozitive.

A ekziston çështja Ujkani te Shqipëria?

Ne e kemi analizuar situatën e Ujkanit dhe duhet ta pranojmë që nuk po kalon një moment të mirë qysh nga miqësorja me Malin e Zi. Ne po e ndjekim Ujkanin në Serinë A dhe e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë. Për momentin, është vetëm një ngërç psikologjik, por do ta kalojë. Vendimi ynë është që Ujkani mbetet portieri i parë, pavarësisht ndonjë gabimi që ka bërë së fundmi.

Ndeshja e fundit juaja, apo?

Unë e di të ardhmen time. Përpara ndeshjes me Francën dhe me Luksemburgun mund tu bëja presion drejtuesve të FSHF-së, që të firmosnim rinovimin tim, por nuk kam dashur ta bëj diçka të tillë. Gjatë gjithë kohës kam refuzuar. Unë dua të mendoj, të bëj diçka të mirë, ta mbaroj detyrën time dhe më pas do të ulemi të bisedojmë.

Më intereson që ta mbyllim të lumtur dhe pas kësaj ndeshjeje mund të bisedojmë. Mund të refuzoj unë, mund të refuzojë federata. Kjo është puna e një trajneri, të jetojë mes këtyre emocioneve. Kombëtarja shqiptare ka mundësi të përmirësohet dhe për një trajner këto janë kushte të mira pune. Do të isha arrogant po të thosha që kam nevojë për punën dhe rrogën time në Shqipëri.

E respektoj këtë, por mund të gjej një zgjidhje tjetër. Për mua është shumë e rëndësishme të ketë atmosferë pozitive. Nëse shohim Roshin, mund të themi që e fituam një lojtar. Dhe nëse do të gjenim edhe dy tre të tjerë në këto nivele, atëherë mund të thoshim se për një trajner është shumë mirë që të punojë këtu.

Roshi është një, si ai ska shumë Shqipëria?

Nuk dua ta them këtë. Ka disa gjëra që i kemi analizuar këta dy vjet. Së pari, jemi në vështirësi jo vetëm sepse ka kundërshtarë të fortë, por se nuk kemi një grup prej 25 lojtarësh, por vetëm 17-18. Nëse na mungojnë 3-4 lojtarë titullarë, për ne është e tmerrshme. Kundër Francës, ne nuk luajtëm keq në organizimin e lojës, por bëmë gabime.

Sikur të kisha pasur një mbrojtës më shumë, do ti kishim parandaluar shumë gjëra. Mesfushorët e kishin të vështirë ta kalonin topin në anën tjetër, sepse luanim me Duron dhe me Likën. Lika është i mirë, por nuk kishte besimin që ta mbante topin kundër Francës dhe ta nxirrte skuadrën përpara.

Me Rumaninë do të luajmë pa tre mbrojtës. Kjo është e tmerrshme, nuk është e lehtë. Para një viti ishim mirë dhe mund të numëronim disa lojtarë, por jo 22-23 lojtarë. Nëse do të kishim kaq lojtarë, mund të bënim diçka më shumë.

Do ti drejtoni ju dy miqësoret e nëntorit, apo një trajner tjetër?

Federata duhet të mendojë në mënyrë praktike. Mund të themi se kemi marrëdhënie të mira, por federata duhet të mendojë për të ardhmen dhe të mendosh për të ardhmen duhet të kesh një ide imediate për përgatitjet për kualifikimet e radhës. Në ditët në vijim, pas ndeshjes me Rumaninë, do të flas me presidentin dhe do të shohim se çdo të ndodhë.

Si e mendoni Francë-Bosnjë?

Nuk është ndeshje e lehtë për Francën, pavarësisht se ka eksperiencë dhe lojtarë të shkëlqyer dhe luan pa presion për të fituar patjetër. Bosnja ka lojtarë shumë të mire, që luajnë futboll, mbajnë topin, por ata kanë diçka që nuk shkon: nuk kanë mentalitetin dhe agresivitetin e nevojshëm për të tilla ndeshje.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›