Befasia: Hyka-Lika-Muzaka në stol, Bakaj-Lilaj titullarë
Andi Lila do të mbulojë vendin e lënë bosh nga Vangjeli, në qendër rikthehet Teli, ndërsa në mesfushë kapiteni Altin Lala
Një ndeshje tjetër, me kundërshtar tjetër dhe me formacion të ndryshuar. Josip Kuzhe vijon të befasojë me zgjedhjet e tij, duke lënë në stol dy lojtarët titullarë që luajtën në Francë, të vlerësuar më lart se të tjerët nga specialistët vendës. Për Gilman Likën dhe Jahmir Hykën nuk ka vend në 11-shen bazë, por ata mund të aktivizohen gjatë pjesës së dytë, në varësi të rezultatit të takimit. Kuzhe, në konferencën për shtyp, ka shpjeguar pse i ka marrë këto vendime, sigurisht në funksion të rezultatit pozitiv.
Ujkani, sërish titullar: Është në qendër të kritikave, pasi në tri humbjet e fundit ka gisht në pësimin e katër golave. Në këtë moment të vështirë psikologjik, – siç thotë Kuzhe, – Ujkani ka nevojë për mbështetje. Sepse ai është e ardhmja e kombëtares. Portieri i Novarës gëzon edhe mbështetjen e futbollistëve të tjerë kuqezi, ndaj kroati do ta hedhë në fushë qysh në fillim.
Lila, mbrojtës i majtë Mbrojtja, reparti që i ka hapur problemet më të mëdha trajnerit Kuzhe. Në dy ndeshjet e fundit, me Luksemburgun dhe Francën, prapavija kuqezi ka futur shumë ujë. Sapo rikthehet një mbrojtës, ndëshkohet tjetri. Andi Lila, nga mesfushor qendre në Francë do të luajë i majtë me Rumaninë. Kuzhe parapëlqen ta vendosë shkatërrues, por ai nuk ka besim te lojtarët mbrojtës të stolit. Aq më tepër kur në atë krah luan Torzhe i Udinezes, futbollist shumë cilësor në fazën sulmuese. Admir Teli do të luajë në qendër bashkë me Canën, ndërsa Dallku, si gjithmonë, në të djathtë.
Ndërthurja e moshës Pa Klodian Duron të pezulluar, Kuzhe duhet të ngushëllohet me rikthimin e Altin Lalës. Por atij i duhet një futbollist fantazist, që e luan mirë dhe shpejt topin. Bëhet fjalë për Sabjen Lilajn, i cili në Francë u aktivizua vetëm 10 minutat e fundit. Odise Roshi këtë radhë do ta nisë mesfushor i djathtë, në rolin e tij natyral, ndërsa në të majtë Elis Bakaj. Kuzhe ka vendosur të lërë në stol Jahmir Hykën, Muzakën dhe Likën.
Sulmi klasik Në këtë fushatë eliminatoresh, kroati i ka besuar gjithmonë dyshes klasike Bogdani-Salihi, përveç rasteve kur ndonjëri prej tyre ka munguar. Ndeshja e fundit me Rumaninë, përballë një kundërshtari që mendon për rinovimin, duhet fituar medoemos, ndaj skuadra jonë ka nevojë për maksimumin në vijën e parë.