Kuzhe në Estoni, eksperimente me Shqipërinë dhe tifo për Bosnjën
Pas më shumë se tetë orësh udhëtimi, Shqipëria ka mbërritur në Estoni në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Kontingjenti i përfaqësueses kuqezi që aktivizohet në Superiore, pesë lojtarë, si edhe Hidi e Agolli, të cilët ndodheshin prej disa ditësh në Tiranë janë nisur nga aeroporti "Nënë Tereza" në orën 14.30. Së bashku me ta ka udhëtuar edhe trajneri Josip Kuzhe dhe stafi teknik. Ata janë bashkuar me pjesën më të madhe të kontingjentit gjatë ndalesave në Vjenë dhe Kopenhagen, përpara mbërritjes në Talin. Pasi ka vëzhguar ndeshjet e kampionatit shqiptar, në Estoni, kroati pritet të eksperimentojë me të rinjtë, për t‘i dhënë formë skuadrës së eliminatoreve Euro 2012. Edhe pse kjo miqësore cilësohet mjaft e rëndësishme për të ardhmen e Kombëtares, 56-vjeçari do t‘ia lejojë vetes një "shpërqendrim" të vogël. Kuzhe do të jetë në kohë që pas ndeshjes së 14 nëntorit në vendin baltik, të bëjë tifo edhe për Bosnjë-Hercegovinën e mikut të tij, Çiro Blazeviç. Së fundmi, ai ka qenë edhe mjaft aktiv me këshillat për skuadrën ballkanase, që nëpërmjet ndeshjeve "play-off" ëndërron një vend në Botërorin 2010. Pasi shërbeu si "spiun" kundër Portugalisë, drejtuesi i stolit kuqezi ka bërë një tjetër deklaratë: "Do të mbështes me gjithë zemër Bosnjën në sfidën kundër asaj që quhet Brazili i Europës, tha Kuzhe për ‘Sports Center‘. Pavarësisht nëse Kristiano Ronaldo aktivizohet, lojtarët e Blazeviç duhet t‘i kushtojnë një vëmendje të veçantë Dekos, i cili është organizatori i lojës së portugezëve".
Duke u kthyer te miqësorja e Shqipërisë, sot dhe nesër skuadra do të zhvillojë nga dy seanca stërvitore në ditë, ndërsa të premten do të bëhet përgatitja e fundit përpara ndeshjes. Në historinë e tyre, kuqezinjtë kanë luajtur dy herë me Estonin (takime miqësore), duke mos dalë në asnjë rast të humbur. Në nëntor të vitit 2003, përfaqësuesja jonë ka fituar 2-0 në Tiranë, ndërsa në prill të 2004-s ka barazuar 1-1 në Talin. Biletat për tifozët në stadiumin "A. Le Kok" (i cili ka marrë emrin e birrës estoneze), vazhdojnë të shiten me çmime simbolike: 100 krona, që konvertohen në afro 6.4 euro (880 lekë të reja).
e. kodheli