Lorik Cana, "Lojtari i Muajit" te Sandërlendi
Trajneri Brus e kishte parashikuar që Lorik Cana do të shndërrohej në idhull te Sandërlendi, por realiteti ia ka kaluar çdolloj parashikimi. Me lojën e tij, mesfushori shqiptar ka hyrë në zemrën e fansave të "maceve të zeza", të cilët e kanë shpallur edhe si "Lojtarin e Muajit". Në anketën e bërë në sitin elektronik të tifozëve, "safc-fans.com", Cana mori çmimin për paraqitjet gjatë muajit tetor, duke fituar garën me Andi Reid. "Një bravo e madhe për kapitenin e jashtëzakonshëm, Lorik Cana, i cili nuk humbi kohë për të na treguar përse Brus pagoi 5.5 milionë euro për ta afruar te Sandërlendi", ishte citimi që shoqëronte anonçimin për anketën e fituar nga kuqeziu. "Tashmë presim rikthimin e tij në fushë kundër Arsenalit, pasi u duk qartë se mungesa e Canës ndihej në fushë". Për rolin e rëndësishëm që 26-vjeçari ka në "Stadiumin e Dritave" nuk kanë munguar as përshtatjet e vargjeve të Biblës me emrin e tij. Më kuptimplota ishte: "Dhe në ditën e shtatë, Zoti krijoi Lorik Canën" (në fakt në vargun Eksodus 31:17 thuhet që në ditën e shtatë Zoti pushoi, pasi për gjatë ditë krijoi parajsën e tokën, dhe gjithçka ka në të). Ky citat i mbështetësve të Sandërlendit ishte një krahasim për lojën e jashtëzakonshme që ka treguar Cana në sezonin e tij të parë në Premierligë.
e. k.
e. k.