Shqipëri-Mal i Zi, marrëveshje mes Ministrive të Kulturës
U nënshkrua dje një marrëveshje kulturor midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Kulturës, Sporteve dhe Medias të Malit të Zi. Kjo marrëveshje ka si qëllim të institucionalizojë, zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, në lëmin e kulturës, arteve, sporteve dhe medias, duke forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, binjakëzimin përmes veprimtarive kulturore e sportive integruese, si dhe veprimtarive në funksion të ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave të trashëgimisë kulturore në vendet respektivë. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Ferdinand Xhaferri dhe homologu i tij malazez, Branislav Miçunovi. "Ne jetojmë në epokën e globalizimit kulturor, e në një situatë të tillë, praktika e dialogut ndërkulturor është një kusht i domosdoshëm për ruajtjen dhe forcimin e identiteteve tanë të veçantë kulturore, si vlera unikale që pasurojnë kulturën europiane dhe atë njerëzore", ka thënë ministri Xhaferri. Më tej ai ka shtuar se konkretizimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi do të shërbejë edhe si një shkëmbim përvoje në aspektin e menaxhimit të kulturës, si dhe të përmirësimit dhe rritjes së efikasitetit të vetë politikave kulturore. "Por, nuk duhet nënvleftësuar këtu edhe përfitimi që mund të ketë edhe turizmi i dy vendeve tona nga ky projekt, si rezultat i rritjes së interesit dhe qarkullimit të informacionit kulturor", vijoi ministri shqiptar i Kulturës. Ndërsa për ministrin e Kulturës së Malit të Zi, Branislav Miçunovi, kjo marrëveshje forcon ndjeshëm urat e komunikimit midis dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua për periudhën 2009 - 2012. Kjo marrëveshje synon bashkëpunimin në fushën e artit, kryesisht në atë të muzikës, kulturës së shkruar, trashëgimisë kulturore si dhe bashkëpunimin në fushat e kinematografisë, sporteve dhe të informimit masiv.