E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: "Sukses i padiskutueshëm i letërsisë shqiptare"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje paradite shkrimtarin Ismail Kadare. Kreu i shtetit shprehu kënaqësinë e tij të madhe dhe konsideratën që shkrimtari shqiptar u nderua me çmimin e lartë "Princi i Asturias". Presidenti Topi e vlerësoi këtë çmim si dhe çmimin e mëparshëm "Man Booker International Prize", si një arritje të madhe të shkrimtarit Kadare dhe si një sukses të padiskutueshëm të letërsisë shqiptare në botë. Ky çmim vjen në një moment shumë të rëndësishëm kur vendi ynë ndodhet në fazën kulmore të sfidës së tij integruese, është shprehur mes të tjerash Presidenti Topi, i bindur që ky vlerësim ndërkombëtar është një nxitje e mëtejshme dhe domethënëse në rrugën e pandalshme të shqiptarëve drejt familjes europiane, rrugë e cila është bërë më e lehtë edhe falë veprës së shkrimtarit Kadare. Nga ana e tij, shkrimtari i madh, Ismail Kadare, dhe bashkëshortja Elena, e falënderuan Presidentin e Republikës për urimin dhe për këtë vizitë miqësore. Gjatë takimit u bashkëbisedua edhe për aktualitetin në vend dhe zhvillimet në rajon e më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›