E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një roman i ri për vajzat e internuara

Vetëm pak javë më parë, në fjalimin para botës, Ismail Kadare përvijoi edhe një herë përmes fjalëve diktaturën shqiptare. Foli për regjimin, letërsinë, shkrimtarin e në fund të fundit njeriun. Artistikisht i qaset sërish asaj kohe. Jo në ngjarje me vërtetësi historike, siç ndodhi me romanin e para një viti "Darka e gabuar", por me përgjithësime fatesh. "E penguara; Requiem për Linda B." është romani i ri i shkrimtarit të njohur. Ka vetëm pak orë që ka dalë nga shtypi, nën siglën e "Onufrit", botuesit zyrtar të Kadaresë në shqip. Shkruar në vitet 2008-2009, në prag të Panairit të 12-të të librit vjen si roman më vete e njëkohësisht i përfshirë në vëllimin e shtatëmbëdhjetë të kolanës së plotë të veprave të shkrimtarit. "Kafe Flora", hotel "Dajti", gjethet në ish-oborrin mbretëror, nuk janë një rrëfim nostalgjik për Tiranën e shkuar, por rrëfimi dramatik i së "penguarës", vajzës tetëmbëdhjetë vjeçare që kërkon t‘i kundërvihet fatit, asaj që i pengohet të prekë rrugët e kryeqytetit, të jetojë, ëndërrojë, e penguara deri edhe në vdekjen e saj. Linda B. nuk është vetëm një, është disa nga qindra vajzat që provuan internimin. Ky roman është një dedikim për to, shënuar që në faqet e para: "Vajzave shqiptare, që lindën, u rritën dhe u vajzëruan në internim". "E penguara", romani që vjen vetëm një vit pas "Darkës së gabuar" është njëkohësisht edhe dëshmia e një procesi krijues aktiv të shkrimtarit të njohur. Ismail Kadare, i ndodhur këto kohë në Tiranë, do të jetë sot i pranishëm në Universitetin Europian të Tiranës, në orën 17:00, për të promovuar jo vetëm botimin e ri, por edhe kolanën e plotë me 20 vëllime të veprës së tij. "Është një dëshirë natyrale e shkrimtarit që të mos e ketë veprën e tij të keqpërdorur nga botimet e shumta, ta ketë të përmbledhur dhe këtë proces ta realizojë vetë e jo të mbetet në dorë të të tjerëve. Disa shkrimtarë e kanë këtë mundësi, disa jo. Unë kam pasur fatin që më është dhënë kjo mundësi dhe e kam bërë". Kështu u shpreh panairin e shkuar shkrimtari i pyetur për këtë kolanë. Ndërsa "E penguara", në faqet e para të të cilit hasen hetuesit e ngrysur, shkallët e Komitetit të Partisë, një dramaturg i quajtur Rudian Stefa që i ngjit këto shkallë me hamendjen se sot mund të jetë dita e fundme si shkrimtar, dosje hetimesh për vetëvrasjen e një vajze të quajtur Linda B. dhe mistere që vërtiten në tavolinën në formë U-je, janë vetëm prezenca materiale të këtij romani. Shkrimtari nuk rreket të përshkruajë një realitet, për shumë i prekur nga afër, për të tjerë i dëgjuar. Personazhet e tij janë mitike referuar kohës kur jetuan. Një mit orfik i rimarrë dhe i risjellë për realitetin shqiptar, përmes personazhesh që i afrohen vdekjes ende në gjallje. "Ky roman i shkruar në Mijëvjeçarin e Tretë, është një pajtim post mortem. Letërsia është Orfeu i fundit që shkon përtej dyerve të vdekjes. Kadare dëshmon përmes letërsisë jetët e mohuara të mijëra vajzave të varrosura për së gjalli në balëtrat e errëta të Internimit Komunist. Për shkak të rrengjeve që kujtesa u bën kaherë popujve, kuptimi i fjalës tragjike internim, rrezikon të mbetet trishtueshëm i përgjysmuar, i përkufizuar teknikisht në zëra enciklopedish historike apo stenda muzesh. E bashkë me të, rrezikojnë të mos i ikin vdekjes historike me mijëra jetë vajzërore që u mbytën ende pa jetuar. Ata që do të vijnë pas nesh, rrezikojnë të mos dinë ta kthejnë kokën pas e, në e kthefshin, të mos dinë të shohin ato që panë sytë e Linda-ve B., sytë e Rudian Stefës, sytë e Ismail Kadaresë dhe të gjithëve ne, që, përveç pendesës, mbajmë ende në sy pengun e verbimit", shkruan Persida Asllani në parathënien që i paraprin romanit në vëllimin e 17-të të kolanës. "E penguara" do të jetë në stendën e shtëpisë botuese "Onufri" prej ditës së nesërme, kur do të jenë çelur edhe dyert e Panairit të Librit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›