E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe në luftë edhe me statistikatAsnjë nga katër trajnerët paraardhës të tij nuk ka debutuar me humbje. Dosena, Brigel, Bariç e Hani kanë dalë kryelartë nga sfidat e para të tyre

Dash Frashëri- Trajneri kroat Josip Kuzhe do ta fillojë “aventurën e tij shqiptare” me një ndeshje ekstremisht të vështirë, duke parë jo vetëm emrin e frikshëm të kundërshtarit, Portugalisë së udhëhequr nga ylli i Mançesterit, Kristiano Ronaldo, nevojës së saj urgjente për maksimumin, por dhe rrethanat tërësisht të veçanta të përgatitjes së ndeshjes së parë të pasuesit të Ari Hanit, ku bashkëkombasi i Oto Bariçit pati vetëm 16 ditë kohë (nga këto vetëm 6 ditë me lojtarët e plotë) deri në ditën e ndeshjes, më 6 qershor 2009.

Me 26 lojtarë në dispozicion (pas largimit të Migen Memellit) dhe një test “anormal” si ai me Kombëtaren U-17 (të fituar lehtësisht 13-0, 6 gola Kapllani), 56-vjeçari Kuzhe duhet të dëshmojë përballë publikut shqiptar në “Qemal Stafa”, se ai personalisht ka injektuar një filozofi ofensive, krejt të ndryshme nga pasiviteti i frikshëm i Ari Hanit.

Duke parë statistikat e debutimeve të katër parardhësve të Josip Kuzhes, si italiani Dosena (në eliminatoret e Euro 2004), gjermani Brigel (po për eliminatoret e Euro 2004), kroati Bariç (eliminatoret e Euro 2008) ashtu dhe holandezi Han (eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010) e kanë nisur pozitivisht fushatën personale. Asnjëri prej tyre nuk e ka humbur ndeshjen e parë: 1 fitore e 3 barazime në 3 takime të luajtura në Shqipëri e një në transfertë.

Gjithsesi, Kuzhe para sfidës së tij të madhe ndihet i lehtësuar nga një fakt kokëfortë. Do të përballet me Portugalinë pa pasur në dispozicion një ndeshje miqësore, madje pa lexuar në detaj as karakteristikat e aftësitë e lojtarëve që ka prej disa ditësh në dispozicion.

Ne të gjithë kemi dyshimet dhe pakënaqësitë tona në lidhje me performancën e varfër të treguar nga holandezi Ari Han, por si për fat apo dhe për rastësi, holandezi arriti të ndalë në “Qemal Stafa” Suedinë e madhe me lojtarin më të paguar në botë, sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimoviç, njëherësh edhe “këpucën e artë” të Serisë A.

Por, le t’u kthehemi statistikave.

Trajneri italian Xhuzepe Dosena e nisi me një barazim 1-1 me Zvicrën në Tiranë. Pas golit të formacionit helvetik, ishte Edvin Murati ai që barazoi me anë të një goditje të lirë. Takimi ishte i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2004. Pas humbjes 4-1 me Rusinë në Volgograd, Dosena u vetëzhduk pa lënë gjurmë, duke i lënë të lirë vendin gjermanit Hans-Peter Brigel.

Modesti Brigel pati fatin e një grumbullimi në Norçia të Italisë, ku në një ndeshje miqësore kundër Vietnamit arriti edhe fitoren më të thëllë në historinë e Shqipërisë: 5-0. Fitore që parapriut një rezultati gati aventuresk kundër Rusisë (3-1), të zhvilluar në “Loro Boriçi”. Golat mbajnë firmat e Altin Rrakllit, Altin Lalës dhe Igli Tares. Takimi ishte vlefshëm për Euro 2004.

Trajneri kroat Oto Bariç është i vetmi që takimin e parë zyrtar e ka luajtur jashtë Shqipërisë. Kuqezinjtë barazuan 2-2 me Bjellorusinë në Minsk. Ervin Skela me penallti në pjesën e parë  dhe Besnik Hasi me gjuajtje të lirë në të dytën, kur rezultati ishte 2-1, janë dhe autorët e golave. Takimi ishte i vlefshëm për eliminatoret Euro 2008, duke sjellë të parën pikë nga jashtë. Gjithsesi, Bjellorusia u hakmor në Tiranë, duke na mundur në ndeshjen e kthimit 4-2.

Shenja pozitive e fatit në ndeshjen debutuese e ndoqi dhe Ari Hanin. Holandezi ia doli të frenojë në kryeqytetin shqiptar një Suedi prepotente dhe favorite absolute në letra: 0-0 përballë suedezëve të udhëhequr nga sulmuesi më i mirë i Interit, Zlatan Ibrahimoviçi. Takimi ishte për eliminatoret e Botërorit 2010.

Pas shtatë takimeve të Shqipërisë me Ari Hanin në krye (1 fitore, 3 barazime, 3 humbje), radha është e kroatit Josip Kuzhe, në tri ndeshje radhazi të shkallës së lartë të vështirësisë: Portugali, Danimarkë, Suedi.

REZULTATET E DEBUTIMEVE TË TRAJNERËVE

Dosena
SHQIPËRI-ZVICËR 1-1
Trajneri italian Xhuzepe Dosena e nisi me një barazim 1-1 me Zvicrën në Tiranë. Pas golit të formacionit helvetik, ishte Edvin Murati ai që barazoi me anë të një goditje të lirë. Takimi ishte i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2004.

Brigel
SHQIPËRI-RUSI 3-1
Trajneri gjerman Hans-Peter Brigel e nisi aventurën e tij në krye të Shqipërisë me një fitore të bujshme kundër Rusisë (3-1), të zhvilluar në “Loro Boriçi”. Golat mbajnë firmat e Altin Rrakllit, Altin Lalës dhe Igli Tares. Takimi ishte për Euro 2004.

Bariç
BJELLORUSI-SHQIPËRI 2-2
Trajneri kroat Oto Bariç është i vetmi që takimin e parë zyrtar e ka luajtur jashtë Shqipërisë. Kuqezinjtë barazuan 2-2 me Bjellorusinë në Minsk. Ervin Skela me penallti dhe Besnik Hasi me gjuajtje të lirë janë dhe autorët e golave. Takimi për Euro 2008.

Han
SHQIPËRI-SUEDI 0-0
Trajneri holandez Ari Han e nisi me një test të madh drejtimin e Shqipërisë. Përfaqësuesja jonë barazoi 0-0 në “Qemal Stafa” përballë Suedisë së udhëhequr nga sulmuesi më i mirë i Interit, Zlatan Ibrahimoviçi. Takimi ishte për Botërorin 2010.

Kuzhe
SHQIPËRI-PORTUGALI, 06.06.09
Trajneri kroat Josip Kuzhe do ta fillojë “jetën e tij shqiptare” me një ndeshje shumë të vështirë. Përballë kuqezinjve tanë është Portugalia e kapitenit Kristiano Ronaldo, që nga ana e saj ka nevojë urgjente për tri pikë. Takimi është për Botërorin 2010.

E Enjte, 04 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›