E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe nis stërvitjen, ndaj Gjeorgjisë vlen vetëm fitorja

Pas asaj sfide të vështirë dhe shumë të lodhshme kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldos & Co., Kombëtarja shqiptare ka rinisur stërvitjen, ku synimi kryesor do të jetë përgatitja sa më e mirë e ndeshjes miqësore të ditës së nesërme kundër Gjeorgjisë. Kundër Portugalisë, objektivi ishte paraqitja dinjitoze dhe krijimi i një ideje për ekipin e së ardhmes, ndërsa ndaj gjeorgjianëve, edhe pse do të provohen disa prej futbollistëve të rinj, ajo që vlen është vetëm fitorja. Këtë e di mirë Kuzhe. Është konfirmuar se trajnerit kroat do t‘i mungojë shërbimi i veteranëve Skela, Bogdanit, Duro dhe Hidi. Në fakt, janë edhe disa titullarë (Cana, Curri, Salihi, Bulku) që mund të mbeten jashtë planeve të Kuzhes për ndeshjen e radhës, por më parë do të bisedohet me ta. Bogdani, Skela, Hidi dhe Duro janë larguar me mirëkuptim nga grumbullimi, me synimin për t‘u lënë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj. Me pjesën e mbetur, trajneri Kuzhe ka zhvilluar dje një seancë stërvitore në "Niko Dovana" të Durrësit. Sot, rreth orës 11:00, pritet të mbërrijë Kombëtarja e Gjeorgjisë. Ndërkaq, edhe ata do të zhvillojnë një stërvitje të fundit në "Qemal Stafa", ku do të luhet nesër në orën 19:00 edhe ndeshja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›