"Shqipëria, goli i Bruno Alvesh na hapi dyert e Botërorit 2010"
Portugezët ende nuk u besojnë syve, që e kanë mundur Shqipërinë. Deri në minutën e 93, yjet luzitanë nuk kishin mundur të shkonin më tej se një barazim 1-1 dhe në ato momente i kishin humbur edhe shpresat. Por goli i Bruno Alveshit në minutën e tretë shtesë ka rezultuar vendimtar për fitoren 1-2. Ky gol do t‘i kthente sërish në rrugën drejt kualifikimit për në Botërorin 2010. Tani njeriu që dha asistin, Raul Meireles, pohon se ishte një ndeshje shumë e vështirë, por tashmë ai beson te kualifikimi i Portugalisë. "Nëse nuk do ta shënonim atë gol, ne e dinim se gjithçka do të ishte më e komplikuar dhe se ishim pothuajse jashtë Botërorit. Ky ishte një gol shumë i rëndësishëm dhe mendoj se tani skuadra do të luajë edhe më mirë për të arritur objektivat. Ky gol na hapi derën për në Botëror", u shpreh Raul Meireles, autori i asistit në golin e Bruno Alvesh, në atë kundërsulm të shpejtë të portugezëve.