Kuzhe publikon listën anti-Qipro
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, bëri publike listën e 20-të lojtarëve të thirrur për ndeshjen miqësore kundër Qipros (12.08.2008, ora 19:00 në “Qemal Stafa”), e dyta nën drejtimin e kroatit pas asaj me Gjeorgjinë (10.06.2009) të përfunduar në barazim 1-1 (gol i Agollit për Shqipërinë). Tre mungesa “surprizë” (Kapllani, Berisha e Bylykbashi) dhe një “fytyrë e re” befasuese (Franc Veliu), kjo është risia e Kuzhes në listën e tij.
VETERANËT
Lorik Cana do të mbërrijë në Shqipëri për herë të parë pas transferimit të tij te Sandërlendi në Premier Ligën angleze. Në ndeshjen e fundit me Kombëtaren, atë kundër Portugalisë, ish-kapiteni i Olimpikut të Marsejës, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, ndërkohë që e ndoqi nga tribuna “VIP” ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Edhe pse ende pa ekip, edhe Ervin Skela është në listën e të mëdhenjve të Kombëtares së Shqipërisë, ashtu si Klodian Duro, i porsatransferuar te Apollon Limasol në Qipro. Veterani Erjon Bogdani është në vijën e parë me Hamdi Salihin.
Isli Hidi, Ervin Bulku e Ansi Agolli, “treshja e muskutjerëve” të Krivbasit i japin bukuri listës, ndërkohë që “dyshja e hekurt” e Vorsklës, Debatik Curri e Armend Dallku, forcë e ritëm. Në repartin e mbrojtjes, prania e Kristi Vangjelit (Aris Selanik), Elvin Beqirit (Vllaznia) e Andi Lilës (Tirana) është thjesht një formalitet tradicional.
DEBUTUESIT
Mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu, do të jetë edhe fytyra e re e Kombëtares anti-Qipro. Vlonjati, për të cilin përflitet se së shpejti do të testohet me Sëlltikun në Skoci, e ka merituar një vend midis 20 lojtarëve të thirrur për shkak të performancës së tij. Mesfushori durrsak Emiljano Vila, i huazuar nga Dinamo e Zagrebit, te ekipi satelit i kampionëve të Kroacisë, Lokomotiva Zagreb, rikonfirmoi vendin e tij, pas debutimit thuajse perfekt në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Edhe mesfushori i Tiranës, Jetmir Sefa, thuajse e ka “çimentuar” vendin e tij në përfaqësuese, ashtu si Elis Bakaj e Gilman Lika (i transferuar te Boluspor në Turqi).
MUNGESAT
Kapiteni zyrtar i Shqipërisë, Altin Lala, edhe këtë radhë nuk e ka fatin të jetë nën urdhrat e Kuzhes, madje nuk ka qenë asnjëherë i grumbulluar qysh kur kroati ka marrë drejtimin e Kombëtares. Lala, aktualisht në rikuperim e sipër nga një dëmtim muskulor, nuk ishte as në grumbullimin kundër Portugalisë e Gjeorgjisë. Në raport me listën e parë “ala Kuzhe” për ndeshjet kundër Portugalisë (zyrtare, humbëm 2-1 në Tiranë) dhe Gjeorgjisë (miqësore, barazuam 1-1 në “Qemal Stafa”, sulmi është reparti ku bien në sy edhe mungesat e mëdha: Edmond Kapllani (i transferuar këtë verë nga Karlsruhe te Augsburgu) dhe Besart Berisha (nga Bërnli në Angli te Arminia Bielefeld në Gjermani). Edhe në prapavijë, mungesat kanë të bëjnë me emrat e Endri Vrapit (Dinamo) dhe Admir Telit (luan në Azerbajxhan me Karabak). Në mesfushë emri që bie në sy është ai kapiteni të Krivbasit në Ukrainë, Dorian Bylykbashi.
STATISTIKA
Takimi i 12 gushtit do të jetë ndeshja e katër miqësore me ishullorët e “Afërditës”. Në tri të parat, kemi humbur dy (në Qipro) e barazuar një në Tiranë. Takimi i parë daton, më 19 gusht 1998, ku kemi humbur 3-2 në Nikosia, i dyti është luajtur në Tiranë, më 15 gusht 2000 (0-0), ndërsa i treti dhe i fundit, më 18 gusht 2004, ku kemi humbur 2-1 në Qipro. Shqipëria ka shënuar 3 gola dhe ka pësuar 5 të tilla.
“Spiuni” Duro informon Kuzhen
Trajneri Kuzhe nuk duhet të vuajë nga informacionet për nivelin e dhe veçoritë e futbollit qipriot, pasi të paktën është një “spiun” i dorës së parë, për t’ia siguruar atë në mënyre profesionale, Klodian Duro. Në Qipro luajnë dy lojtarë të ekipit aktual Kombëtar shqiptar, portieri Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta, nuk është thirrur për këtë ndeshje për shkak se është në rikuperim e sipër) e mesfushori Klodian Duro (Apollon Limasol). Në ishull aktivizohen edhe dy ish-lojtarë të tjerë, Altin Haxhi (Apoel, kampioni në fuqi i Qipros) e Foto Strakosha (trajner portierësh te Apoel).
Gushti, muaji i qipriotëve
Muaji gusht mund të konsiderohet edhe si muaji “qipriot”, pasi të gjitha miqësoret me Kombëtaren nga ishulli i “Afërditës” janë zhvilluar në këtë muaj, duke filluar nga e para, më 19 gusht 1998
dhe deri te ajo e fundit, që do të luhet më 12 gusht 2009.
Kuzhe, trajneri i katërt
Kroati Kuzhe do të jetë trajneri i katërt i Kombëtares shqiptare që do të përballet Qipron. I pari ka qenë Astrit Hafizi (humbi 3-2, 19 gusht 1998), më pas Medin Zhega (barazoi 0-0, 15 gusht 2000) e i treti, Hans-Peter Brigel (humbi 2-1, 19 gusht 2004).
Tre seanca stërvitore
Ekipi Kombëtar do të zhvillojë tre seanca stërvitore në kuadër të përgatitjeve kundër Qipros. Dy seanca janë parashikuar për ditën e hënë (10:00 dhe 18:00), një ditën e martë (18:00). Të mërkurën, në orën 19:00 do të luhet në “Qemal Stafa” takimi miqësor.
* * * *
TAKIMI
Miqësore ndërkombëtare
Shqipëri-Qipro
12.08.2009, ora 19:00
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”
NDESHJET ME QIPRON
19 gusht 1998
Qipro-Shqipëri 3-2
Trajner: Astrit Hafizi
15 gusht 2000
Shqipëri-Qipro 0-0
Trajner: Medin Zhega
19 gusht 2004
Qipro-Shqipëri 2-1
Trajner: Hans Peter Brigel
12 gusht 2009
Shqipëri-Qipro 19:00
Trajner: Josip Kuzhe
Bilanci: 3 ndeshje, 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Golaverazhi: 3-5
Programi stërvitor
i ekipit kombëtar
09.08.2009 – 12.08.2009
9 gusht
Grumbullimi në hotel “Tirana”
10 gusht 2009
Stërvitje: ora 10:00 dhe 18:00
11 gusht
Konferencë për shtyp: ora 12:00
Trajneri dhe dy lojtarë
Stërvitje: ora 18:00
12 Gusht 2009
Ndeshja Shqipëri-Qipro
“Qemal Stafa”, ora 19:00
Lista e futbollistëve
PORTIERË
1. Isli Hidi Kryvbas (Ukrainë)
2. Samir Ujkani Novara (Itali)
MBROJTËS
3. Kristi Vangjeli Aris Selanik (Greqi)
4. Armend Dallku Vorskla Poltava (Ukrainë)
5. Elvin Beqiri Vllaznia (Shqipëri)
6. Andi Lila Tirana (Shqipëri)
7. Franc Veliu Flamurtari (Shqipëri)
8. Debatik Curri Vorskla Poltava (Ukrainë)
MESFUSHORË
9. Ervin Bulku Kryvbas (Ukrainë)
10. Ervin Skela (Pa skuadër)
11. Gilman Lika Boluspor (Turqi)
12. Lorik Cana Sunderland (Angli)
13. Ansi Agolli Kryvbas (Ukrainë)
14. Jetmir Sefa Tirana (Shqipëri)
15. Emiljano Vila Lokomotiva Zag. (Kroaci)
16. Klodian Duro Apollon Limasol (Qipro)
17. Jahmir Hyka Mainz 05 (Gjermani)
SULMUES
18. Hamdi Salihi Ried (Austri)
19. Elis Bakaj Dinamo (Shqipëri)
20. Erjon Bogdani Kievo (Itali)
Trajner Josip Kuzhe
Dhjetë detajet
Qipro në skanerin futbollistik
Qipro është një kundërshtar ndaj së cilës do të përballemi për herë të katërt, të gjitha miqësore. Federata Qipriote e Futbollit është themeluar në vitin 1934 (Shqipëria në vitin 1930). Në vitin 1948 bëhet anëtare e FIFA-s (Shqipëria në vitin 1932), ndërsa në UEFA anëtarësohet në vitin 1962 (Shqipëria në vitin 1954).
RENDITJA FIFA
Në renditjen aktuale të FIFA-s, ajo e muajit gusht 2009, Qipro ndodhet në vendin e 73-të (445 pikë) në renditjen e përgjithshme dhe në të 37-in në atë të UEFA-s. Shqipëria ndodhet në vendin e 94-t në FIFA (347 pikë) dhe të 41-in në UEFA.
TRAJNERI
Trajneri i skuadrës përfaqësuese është greku Angelos Anastasiadis, 55 vjeç. Ndodhet që nga viti 2004 në këtë detyrë, duke zëvendësuar serbin Momçilo Vukotiç. E njeh mirë skuadrën e tij dhe ka ndërtuar filozofinë e tij të lojës. Nëntë ekipe janë në karrierën e tij si trajner, midis tyre skuadrat e famshme greke Paok, Panathinaikso dhe Iraklis.
SKUADRA
Përfaqësuesja aktuale thuajse është e tëra me lojtarë nga kampionati vendas, me përjashtim të tre mesfushorëve: Konstantinos Makrides (Metalurg Dontesk, Ukrainë), Marios Nicolaou (Panionos, Greqi) dhe Xhejson Demetriou (Leyton Orient, Angli, kategoria e tretë ose League One).
“AFRIKA E JUGUT 2010”
Në takimin e fundit zyrtar të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, Qipro barazoi në shtëpi 2-2 me Malin e Zi. Në gjashtë ndeshje zyrtare ka grumbulluar 5 pikë: 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje (6 gola të shënuar, 9 të pësuar). Renditet në vendin e 4-t në Grupin 8, ku bëjnë pjesë edhe Italia (14 pikë), Irlanda e Veriut (13), Bullgaria (8), Mali i Zi (4) dhe Gjeorgja (3).
“KËPUCA E ART˔
Golashënuesi më i mirë historik për Qipron është Mihalis Konstantinou me 28 gola. Në këtë sezon kualifikues Konstantinu ka shënuar 3 gola. Tre gola e tjerë mbajnë firmat e Mihail Krisostomos, Kristofi Dimitris dhe Aloneftis Efstathios (secili nga një gol).
KAMPIONATI
Kampionati qipriot ka në përbërje të tij (ai aktual) ka 14 ekipe. Kampion në fuqi është Apoel, skuadër në të cilën aktivizohet edhe ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Altin Haxhi, ndërsa trajner i portierëve është ish-kapiteni i përfaqësueses sonë, rekordmeni absolut Foto Srakosha (73 ndeshje).
SHQIPTARËT
Dhjetë lojtarë shqiptarë kanë luajtur ose luajnë aktualisht në Qipro: Rudi Vatën (ka lënë futbollin), Sokol Kushtën (ka lënë futbollin), Arjan Xhumbën (ka lënë futbollin), Ervin Fakajn (ka lënë futbollin) e Arjan Shetën (larguar), Arjan Beqaj (aktiv në Qipro), Klodian Duro (aktiv në Qipro), Altin Haxhi (aktiv në Qipro), Isli Hidi (larguar në Ukrainë), Blerim Rustemi (larguar nga Qipro).
7 Gusht 2009