E Diel, 1 Nëntor 2026

Var veten në mes të Shkodrës emigranti, ishte babai i katër fëmijëve



“Ju kërkoj falje por nuk e përballoj dot më jetën” kjo ishte një nga fjalitë e shumta që një 45-vjeçar kishte shkruar në një letër për familjen e tij, pak minuta para se t’i jepte fund jetës. Mark Deda 45-vjeç sapo ishte kthyer nga Italia ku jetonte si emigrant prej shumë vitesh, por edhe jeta në shtetin fqinj ku ai mendonte se do të siguronte të ardhura të mjaftueshme për familjen duket se ka qenë e papërballueshme për të duke e çuar në vetëflijim mesditën e sotme. Ngjarja ndodhi dje në lagjen “Xhabije” të qytetit Shkodrës, pikërisht në vendin e quajtur “Tregu tek shumica e re”, ku është gjetur i vetëvarur me litar në një pemë dekorative, 45-vjeçari Mark Deda, lindur e banues në fshatin “Ashte”, Komuna Bushat, rrethi Shkodër, baba i katër fëmijëve. “Në vendngjarje mbërriti menjëherë policia dhe nga veprimet e para hetimore të kryera, si dhe nga marrja në pyetje e familjareve, rezultoi se 45-vjeçari, jetonte emigrant në Itali prej shumë vitesh dhe sapo ishte kthyer. I ndjeri mendohet të ketë shfaqur shenja depresioni, por pa ndonjë shkak konkret (kjo e deklaruar dhe nga vetë familjarët)”, - thanë burimet zyrtare të policisë së Shkodrës. Sipas policisë 45-vjeçari para se të kryente vetëvarjen, kishte lënë një letër drejtuar familjarëve të tij, ku i kërkonte ndjesë për aktin që po kryente, pasi nuk mund të përballonte më jetën. Megjithatë policia po vazhdon ende hetimet për të zbardhur me saktësi shkqet e këtij vetëflijimi.

Helmimi me fostoksinë, një tjetër vajzë tenton vetëflijimin

Një 31-vjeçare ka tentuar t’i janë fund jetës duke konsumuar helm. Ngjarja ndodhi dje kur M.N, 31-vjeçe lindur ne Mirditë dhe banuese në Burrel, ndodhej te të afërmit e saj në fshatin Qerekë të Komunës Nikël, kur ka konsumuar një sasi helmi. Të afërmit e kanë gjetur atë në gjendje të rëndë duke e transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë mjekësore. Nga veprimet e para hetimore, dhe sipas mjekut të toksikologjisë të Spitalit Ushtarak Tiranë mendohet se M.N, kishte pirë fotoksinë. Aktualisht ajo ndodhet e shtruar në repartin e toksikologjisë në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet që kanë detyruar 31-vjeçaren të tentojë t’i japë fund jetës së saj. Një rast i ngjashëm i konstatua edhe dy ditë më parë kur është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak 17-vjeçarja Klodiana B., lindur në Mat dhe banuese në fshatin Rrushkull të Sukthit. Nga veprimet e para hetimore, deklarimet e marra nga mjekët e spitalit dhe babait të saj, rezultonte se Klodiana B., në gjendje të rënduar psikologjike, ka konsumuar medikamentin vdekjeprurës fostoksinë në banesën e saj. Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Humb drejtimin e motoçikletës, plagoset rëndë

Në aksin rrugor Dedaj-Koplik të Malësisë së Madhe, pikërisht në vendin e quajtur fshati “Poice”, të Malësisë së Madhe, 33-vjeçari Gëzim Delaj, ka humbur dje drejtimin e motoçikletës së tij pa targa. Për pasojë, ka dalë nga rruga, duke rënë në pjesën anësore të saj. Si pasojë e daljes nga rruga, ky person ka pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe shtypje në pjesën e trupit. I dëmtuari është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit të Shkodrës, ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në këtë spital, është dërguar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një mjekim më të specializuar, aktualisht në gjendje kritike për jetën.

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›