Kosova e përkushtuar për bashkëpunim me Norvegjinë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ritheksoi mirënjohjen e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e gjithanshme që ka dhënë Norvegjia për vendin. Gjatë një takimi që pati të enjten me Sver Johan Kvale, i cili, me këtë rast, i dorëzoi edhe letrat kredenciale, Sejdiu tha se Kosova është e përkushtuar që ta vazhdojë edhe në të ardhmen frymën shumë të mirë të bashkëpunimit me Norvegjinë. Ambasadori Kvale – siç theksohet në një komunikatë të Presidencës - duke i shprehur presidentit Sejdiu falënderimin për pëlqimin e dhënë që ai të jetë ambasador i shtetit norvegjez në Republikën e Kosovës, theksoi se marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës do të intensifikohen edhe më tej. “Norvegjia vazhdon ta ketë Kosovën prioritet në rajon dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim institucionet tuaja në të gjitha fushat, e sidomos në arsim, ku kemi një përqendrim të veçantë të investimeve tona”, tha ambasadori Kvale. Po ashtu, ai e njoftoi presidentin Sejdiu se angazhimi i tij i mëtejshëm do të ketë cak kryesor shtrirjen e bashkëpunimit ekonomik, përkatësisht nxitjen e biznesit norvegjez për të investuar në Republikën e Kosovës.
Alarmi për bombë, pezullohet fluturimi ajror Greqi-Spanjë
ATHINË - Një avioni Airbus A320 i kompanisë spanjolle me kosto të ulët "Vueling", nuk u lejua të ngrihej dje pasdite nga aeroporti ndërkombëtar i Athinës pas një kërcënimi terrorist, njoftojnë burime pranë aeroportit. Avioni pritej të nisej në orën 15:30 (12:30 GMT) dhe të mbërrinte në orën 18:30 (15:30 GMT) në Barcelonë me 148 pasagjerë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi, i bëri të ditur AFP-së një zëdhënëse e aeroportit. Policia e aeroportit vendosi ta bllokonte avionin në një vend të izoluar të aeroportit deri në orën 19:00 (16:00 GMT) si masë parandaluese. Alarmi i rremë ndodh një ditë pas incidentit që ndodhi në aeroportin "Orly" të Parisit.
PNUD: Rritet besueshmëria e qytetarëve të Kosovës ndaj institucioneve
Në raportin e fundit periodik të PNUD-it të quajtur “Paralajmërimi i Hershëm”, vlerësimi pozitiv i të anketuarve ndaj institucioneve të Kosovës ka shënuar rritje me 15% në krahasim me raportin e muajit prill 2009, por vihet re një rënie prej 18% në vlerësimin që të anketuarit i bëjnë politikës dhe ky është niveli më i ulët i shënuar që nga korriku i vitit 2002. “Këto janë fakte të shpejta të cilat kanë dalë nga mostrat shkencore të mbi 1200 anketuesve në Kosovë. Është përmbledhje e opinioneve të mostrave. Në asnjë mënyrë ato nuk janë opinione, rekomandime apo sugjerime nga ana jonë. Këto janë rezultate të hulumtimit”, tha Maurice Deulf, U.D. Shef i PNUD-it, Kosovë. Të anketuarit e konsiderojnë UNMIK-un si përgjegjës për shkallën e ulët të zhvillimit ekonomik, pavarësisht se misioni i OKB-së ka nëntë muaj që është tërhequr nga përgjegjësitë ekzekutive.
Maqedonia bllokon shpenzimet për ushtrinë për shkak të krizës
SHKUP - “Një ushtri e shekullit XXI duhet të zotërojë pajisje të veçanta moderne, por kjo nuk do të ndodhë përpara se Maqedonia të kapërcejë krizën ekonomike, ka deklaruar ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski, në një intervistë për median vendase, sipas faqes në internet të agjencisë "FOCUS News Agency". Sipas Konjanovskit, gjatë 7-8 viteve të fundit, Ministria maqedonase e Mbrojtjes ka bashkëpunuar me disa firma nga Republika Çeke, Ukraina dhe vende të tjera për të zëvendësuar helikopterët e saj ushtarakë. Ai theksoi se forcat ajrore të vendit nuk janë të pajisura mirë dhe sipas tij duhet një analizë e thellë nëse Maqedonia kërkon të ketë një ushtri elitë, që Shkupi u ka premtuar aleatëve të tij të NATO-s, si kusht për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse.
7 Gusht 2009