E Diel, 1 Nëntor 2026

The New York Times: Gjomarkajt vranë komisarin Bardhok Bibën

Gazeta amerikane rrefen akuzat që Mehmet Shehu iu bëri shërbimeve të huaja

C. L. Sulzberger

PARIS - Spiunë të trajnuar në mënyrë të veçantë janë hedhur me parashutë në malet veriore të Shqipërisë me ndihmën e shërbimit sekret italian dhe janë duke u përpjekur të organizojnë me sukses vrasjen e sekretarit politik të Partisë Komunistë në rrethin e Mirdites. Kjo akuzë është bërë nga Mehmet Shehu, njeriu i fortë në vendin e vockël të Ballkanit, i trajnuar nga Moska, shefi i policisë sekrete të shtetit dhe, mundësisht, individi më i fortë në vend; madje, duke mos përjashtuar as kryetarin e shtetit, Enver Hoxhën. Në një raport të publikuar rreth situatës në Shqipëri, Mehmet Shehu akuzoi Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, të ndihmuara nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia, të cilat janë duke punuar me synimin që të përmbysin regjimin e tanishëm shqiptar përmes metodave terroriste dhe të sabotazhit. Ai përcaktoi në mënyrë të veçantë se Gjeneral Kolonel Aleksandër Rankoviç, ministër i Brendshëm në qeverinë jugosllave të Mareshallit Tito, që mban të njëjtin pozicion si edhe Mehmet Shehu, ishin duke bashkëpunuar me agjentë të shërbimeve sekrete të ushtrisë italiane, të tillë si Nikoll Molushi dhe Ndue Pjetër Gjomarkaj, të cilët, pasi kishin ndjekur kurset e trajnimit të spiunazhit në Itali, ishin hedhur me parashutë nga italianët në brendësi të maleve të Mirditës.

Vrasja

Sipas Mehmet Shehut, "ata organizuan dhe realizuan vrasjen e sekretarit politik të Komitetit të Partisë së rrethit". Asnjë datë nuk është përmendur për vrasjen e raportuar. Rrethi i Mirditës, në juglindje të Shkodrës, është i populluar nga banorë gegë, tradicionalisht të pavarur, me fise malore, që gjithmonë kanë qenë disi hezitues që të pranojnë autoritetin e plotë nga çdo qeveri shqiptare. Në bazë të konstatimeve se Italia dhe Jugosllavia ishin duke punuar nën urdhrat e anglo-amerikanëve, zoti Mehmet Shehu tha se Rankoviç është duke përdorur kundër regjimit të Enver Hoxhës qindra kriminelë luftë që kishin siguruar azil në Jugosllavi.
Zoti Mehmet Shehu thotë se qeveria e Tiranës posedon informacion që dëshmon se "elementët reaksionarë" në Shqipëri organizohen nga oficerët jugosllavë dhe grekë, të cilët ishin gati të nisnin veprimin partizan kundër qeverisë së Enver Hoxhës që në gushtin e kaluar, periudhë që përkon me lëvizjet e trupave përgjatë kufijve nga ushtritë jugosllave dhe greke.
Megjithatë, Mehmet Shehu thotë se përmes policisë sekrete ishte bërë e mundur që të shmangeshin, duke i likuiduar këto grupe disidente të brendshme. Ajo që dihet, por që nuk thuhet nga zoti Shehu, është se ka pasur shoqërime, arrestime dhe ekzekutime në masë, të ndërmarra në Shqipëri gjatë pesë muajve të fundit. Në mes të personave të arrestuar ishte edhe kolonel-lejtënant Hamid Koçi, komandanti i Përkohshëm i Policisë së Sigurimit Kombëtar.

Nxitet mobilizimi
Megjithë lëvdatat se regjimi ka mbijetuar në një periudhë kritike të kërcënimeve, zoti Shehu, paralajmëroi se, "ne duhet të mobilizohemi që të forcojmë vigjilencën revolucionare". Ai tha se sabotazhi ekonomik ishte një nga metodat kryesore që mund të përfshihej kundër regjimit nga "armiku" dhe urdhëroi që çdo komunist i mirë duhet të punojë për policinë sekrete shtetërore sepse, siç ka thënë Lenini, "çdo komunist i mirë, është një chekist i mirë. (Cheka ishte polici i parë i Shërbimit Sekret Shtetërore Sovjetik).
Qëndrimet e Mehmet Shehut janë dëshmia e parë e hollësishme nga një burim zyrtar shqiptar se trazira dhe kundërshtimi në vend kanë qenë të shtrira kudo, - të paktën pohohet e para përfshirje e botës perëndimore, e cila, përfaqësinë diplomatike në Tiranë e ka vetëm përmes ambasadës franceze dhe së fundmi edhe me hapjen e legatës italiane.
Ndërkaq, nga burime të tjera të informacioneve që vijnë nga Shqipëria thuhet se rreth 4000 guerilas komunistë grekë, që mbërritën nga zonat e Gramozit dhe Vitsi-t verën e kaluar, kanë qenë rigrupuar afër qytetit të Korçës.
Rebelë të tjerë grekë, të dyshuar për prirje devijacioniste, thuhet se janë rekrutuar për punë forcërisht dhe po përdoren për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, larg kufijve grekë dhe jugosllavë.

Grupi i sabotazhit

Këto rigrupuan kontigjentët e konsideruara për çështje besimi se duhet të trajnohen për të qenë në pozicione sabotazhi dhe intrigash. Raportohet se komisarët politikë janë duke përgatitur ri-hyrjen në Greqi në grupe të vogla, të cilët do të bashkëpunojnë me këta komisarë që qëndrojnë këtu dhe ata që shkojnë të maskuar. Ata shpresojnë në përpjekjet që të riorganizojnë një fushatë të re sabotazhi. Burime të tjera ende informojnë se pakënaqësia në rritje në radhët e klasës së punonjësve të vegjël në Shqipëri është duke u shkaktuar nga përdorimi zhurmëmadh sovjetik, veçanërisht i puseve të naftës së Kuçovës. Ajo që thuhet se u përcaktua është se nafta e këtyre fushave jugore është pompuar drejt Vlorës tek depot e menaxhuara nga shtetas sovjetike. Nafta vendosej në kontenierë të prodhuar me stampa sovjetike dhe transportohej me anije drejt Brindizit në Itali, thuajse çdo dy javë. Asnjë ushtar ose roje kufitare shqiptare nuk është lejuar të hyjë në depot e portit të Vlorës ose në ato të ngjashmet që ndodhen në Durrës. Nafta është dërguar drejt Bashkimit të Republikave Popullore Sovjetike (BRSS) për t’u përdorur ose shitur nga vetë rusët.

Shkrimi është publikuar në "The New York Times" më 19 janar 1950. Autori është një ndër gazetarët që ka pasur informacione të detajuara për misionet e CIA-s dhe MI6-s për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës

Titulli është redaksional
Përgatiti Albert Gjoka

Sot përkujtohet 60-vjetori i vrasjes së Bardhok Bibës

Si sot e 60 vjet më parë është vrarë në Qafën e Valmerit, Bardhok Biba nga anëtarët e të ashtëquajturit “Komiteti i Maleve”. Pikërisht me rastin e kësaj dite, në qytetin e Rrëshenit, të themeluar nga vetë i ashtuquajturi “Heroi i Mirditës”, pritet të zhvillohet një takim me studiues dhe historianë vendas dhe nga rrethet e ndryshme. Për Bardhok Bibën janë botuar një sërë librash biografikë, studime dhe artikuj edhe pas viteve 90. Ai njihet si një ndër figurat më popullore në rrethin verior, i cili mbështeti Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe regjimin komunist në vitet e para. Bardhok Biba ka marrë pjesë aktivisht edhe në luftë dhe pas saj, u përfshi në procesin për rindërtimin e vendit. Grupet e ndryshme nacionaliste në Mirditë dhe anëtarë të familjes së Gjomarkajve dolën kundër misioneve të Bardhok Bibës për mbledhjen e vullnetarëve nga zona veriore. Kjo solli edhe përçarjen e madhe mes tyre, ndonëse ishin pjesëtarë të një fisi. Më 6 gusht 1949 ata organizuan një pritë në rrugën nga Kaçinari drejt Shpalit, ku mbeti i vrarë Bardhoku dhe u plagos rëndë Dedë Sherri, njëri nga shoqëruesit e tij. Disa prej organizatorëve të atentatit u larguan që në mbrëmjen e 7 gushtit nga Shqipëria dhe u strehuan në Jugosllavi dhe më pas në vende të ndryshme të Perëndimit. Ata u financuan dhe trajnuan më pas në operacionet e organizuara nga CIA dhe shërbimi britanik i MI6-s për të rrëzuar regjimin e Enver Hoshës. Por, këto misione u tradhtuan nga agjenti i dyfishtë Kim Filbi, i cili njihet edhe si Tradhtari i Madh në kohën e Luftës së Ftohtë. Njëri ndër personat që u rikthye në vendlindje është edhe Ndue Pjetër Gjomarkaj, i cili më pas arriti të arratisej në Itali pas dështimit të disa tentativave për rrëzimin e komunizmit në zonën e Mirditës.

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›